Fjalë Kyçe

Dështon sërish të nis rigjykimi ndaj kreut të FFK-së, Agim Ademi i akuzuar për detyrim

Dështon sërish të nis rigjykimi ndaj kreut të FFK-së, Agim Ademi i akuzuar për detyrim

Për të dytën herë me radhë në Departamentin e Përgjithshëm ka dështuar të nis rigjykimi ndaj Agim Ademit, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), i cili bashkë me Muharrem Ramën akuzohet se më 2012 kishin kërcënuar dhe sulmuar Dritëro Kadollin, duke i kërkuar të japë 30 mijë euro ose një “BMË X5.

Shkak për dështimin e kësaj seance ishte mungesa e prokurorit dhe të dëmtuarit Dritëro Kadolli.

Lidhur me mungesën e prokurorit gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj, deklaroi se për të njëjtin gjykata ka prova se është ftuar në mënyrë të rregullt ndërsa për këtë do ta njoftoj kryeprokurorin.

Kurse, për mungesën e të dëmtuarit Kadolli gjykatësi Sadikaj tha se sipas fletëkthesës së kthyer në gjykatë, rezulton se i njëjti gjendet në Londër deri më 15 maj të këtij viti, e cila informatë sipas kësaj fletëkthese thuhet se është bërë pas komunikimit me telefon.

Me qenë se nuk u plotësuan kushtet për mbajtjen e kësaj seance e njëjta është shtyrë, kurse ajo e radhës u caktua më 7 shtator 2022.

Lënda fillimisht kur ishte kthyer në rigjykim ka qenë duke u gjykuar në Departamentin për Krime të Rënda nga gjykatësja Medie Bytyqi, e kjo e fundit për “Betimi për Drejtësi” po ashtu ka pohuar se kjo lëndë tanimë ka kaluar Departamentin e Përgjithshëm.

Mirëpo, për shkak se është parashkruar vepra penale e ushtrimit të ndikimit, për të cilën edhe ishte shpallur aktgjykim refuzues në korrik të 2019-ës, lënda tani ka kaluar në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ka më shumë se një vit nga vendimi i Supremes kur kjo lëndë ishte kthyer në rigjykim, por deri më tani nuk është mbajtur asnjë seancë e rigjykimit ndaj Ademit dhe Ramës.

Ndryshe, aktakuza ndaj Ramës dhe Ademit ishte ngritur më 14 janar 2014, nga prokurori i EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ilaz Beqiri.

Sipas pikës së parë të aktakuzës, Ademi dhe Rama akuzohen se gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadolli, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të padrejtë në shumën prej 30 mijë euro, apo një veturë të tipit “BMË X5”.

Kjo veturë, sipas prokurorisë, pretendohej më pas t’i dorëzohej Sami Hamitit, ish-kryesues i Asamblesë Komunale të Prishtinës, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.

Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës, Ademi dhe Rama akuzoheshin për ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kishin kërkuar nga i dëmtuari Kadolli premtimin e përfitimit të padrejtë, respektivisht shumën prej 30 mijë euro apo veturën e tipit “BMË X5”, duke kërkuar në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e një personi zyrtar që në këtë rast ishte ish-kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Sami Hamiti, që të ndryshojë statusin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 korrik 2019, i kishte shpallur fajtor Ademin dhe Ramën për veprën penale detyrim në tentativë.

Ademi ishte dënuar nga shkalla e parë me nëntë muaj burg efektiv, kurse Rama me një vit burg efektiv.

Në këto dënime, të akuzuarve ishte vendosur t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 shtatori deri më 2 nëntor 2012. Kurse, për veprën penale të ushtrimit të ndikimit, ishte shpallur aktgjykim refuzues për shkak të parashkrimit të kësaj vepre.

Në shkurt të vitit 2020, Gjykata e Apelit i kishte refuzuar ankesat e të akuzuarve dhe i kishte lënë në fuqi dënimet e shqiptuara nga shkalla e parë.

Mirëpo, të pakënaqur me këto aktgjykime, mbrojtësit e të akuzuarve i ishin drejtuar me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë Gjykatës Supreme.

Lidhur me këtë kërkesa, Supremja në korrik të vitit 2020 ka vendosur që t’i aprovojë si të bazuara të njëjtat dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim në shkallën e parë.

“Kolegji i Gjykatës Supreme, duke vendosur përkitazi me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të dënuarit M.R. avokatit R.K., dhe atë të të dënuarit A.A., paraqitur kundër aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, PKR.nr.51/2014 i datë 5 korrik 2019 në seancën e kolegjit të mbajtur me 15 korrik 2020, aprovoi si të bazuara këto dy kërkesa, kurse aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, PKR.nr.51/2014 të datës 5 korrik 2019 dhe atë të Gjykatës së Apelit të Kosovës PAKR.nr.504/2019 të datës 12 shkurt 2020, i anuloi, kurse çështjen ia ktheu gjykatës së shkallës së parë, në rigjykim”, thuhej në njoftimin e Gjykatës Supreme.