Ish eprori i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Naim Maloku është ftuar nga Gjykata Speciale në Hagë për t’u intervistuar në cilësinë e dëshmitarit.
Maloku ka njoftuar se është ftuar nëpërmjet telefonit në gjuhën sllovene, por që ka bërë të ditur se nuk do të mund të udhëtojë për në Hagë për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.
Maloku ka thënë se angazhimi i tij në UÇK e bën krenar tërë jetën.
“Bashkëluftëtarë te mi, familjar dhe miq! Ju njoftoj qe sot, përmes telefonit dhe ne gjuhen sllovene, jam kontaktuar nga Gjykata e Hages me ftese qe te paraqitem ditët ne vijim per intervistim në cilësinë e dëshmitarit. Ju njoftoj gjithashtu qe është hera e parë që unë kontaktohem nga kjo Gjykatë. Njoftova Gjykatën që për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore unë nuk mund të udhëtoj për atje. Angazhimi im ne përpjekjet e popullit tim për liri, i kurorëzuar me të qenit oficer i lartë ne të shenjtën UÇK, më bën të ndihem krenar tërë jetën duke lënë trashëgiminë më të çmuar për pasardhësit e mi”, ka shkruar ai.