Fjalë Kyçe

Dy të vdekur, 23 të lënduar nga aksidenti me kamion në Gjilan, gjykata merr vendim për të akuzuarit

Dy të vdekur, 23 të lënduar nga aksidenti me kamion në Gjilan, gjykata merr vendim për të akuzuarit

Gjykata Themelore në Gjilan ka dënuar me 4 vite e tetë muaj burgim shoferin e kamionit M.V i cili shkaktoi aksidentin në qendër të qytetit në Gjilan ku vdiqën 2 qytetarë dhe u lënduan 23 qytetarë të tjerë.

Gjykata ka shqiptuar edhe dënim plotësues ndaj të akuzuarit M.V duke i ndaluar drejtimin e automjetit për kategorinë e caktuar C1, C dhe BE, në kohëzgjatje prej 3 vite. Ai është dënuar për veprën penale të rrezikimit të trafikut publik. Kurse me 2 vite e 8 muaj burgim është dënuar pronari i kompanisë i cili nuk ishte kujdesur për gjendjen teknike të kamionit dhe kishte lejuar që i njëjti të qarkullonte në rrugë dhe të transportonte mallra i cili me 7 mars 2019 në Gjilan shkaktoi aksident ngase nuk i punonte sistemi i frenimit, raporton Koha Ditore.

Ndërkaq gjyqtari ka urdhëruar edhe konfiskimin e automjetit transportues “Scania” i cili konsiderohet mjet me të cilin është kryer vepra penale. “Sepse me datë 07.03.2019 rreth orës 14:05 minuta në rrugë “Idriz Seferi” në Gjilan, i pandehuri M. V. ka rrezikuar trafikun publik duke vënë në rrezik jetën e njerëzve dhe pasurinë, ashtu që duke drejtuar automjetin për transport të markës “Scania”, pronë e Kompanisë “VEV Group” Sh. P. K. – Prishtinë nga pakujdesia dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore mbi Ligjin e trafikut rrugor, kyçet në rrugën kryesore nga parkingu i pemëtarisë “Mentori” në drejtim të qendrës së qyteti e humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit, pasi që nuk arrin të frenojë, si pasojë e gjendjes paraprake jo të rregullt të frenimit si tërësi, shkakton aksident zinxhiror, nga i cili aksident humb jetën i ndjeri Q. Ç. dhe F. I. dhe lëndohen 23 persona, si dhe shkaktohen dëme materiale” thuhet në dënimin e shqiptuar nga gjykata.

Ndërkaq pronari i kompanisë i cili kishte në dispozicion kamionin i cili shkaktoi aksidentin është dënuar për veprën penale mbikëqyrja e pandërgjegjshme e trafikut publik. “Ndërsa i pandehuri V. T. si person përgjegjës i Kompanisë “VEV Group”, Sh. P. K. – Prishtinë, ka qenë i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund shkaktohet si rezultat i veprimit apo mos veprimit të tij, por me mendjelehtësi ka menduar se ajo nuk do të shkaktohet, duke e lejuar automjetin e tij të dal në qarkullim në rrugë publike dhe si pasoj shkaktohet aksidenti i lartcekur” thuhet në këtë dënim.