Pasi u publikua lista preliminare e fitueseve të shtëpive botuese për tekstet e reja shkollore, pritet që nxënësit të pajisen me to për vitin shkollor 2019/2020.
Njohës të arsimit thonë se nuk pritet ndonjë ndryshim i madh cilësor i teksteve. Ministri i Arsimit, ka thënë se këto tekste do të pilotohen për një vit dhe aty ku shihen dobësitë do të tërhiqen.
Nxënësit e klasave parashkollore, 1, 2, 6, 7, 10 dhe 11 do ta fillojnë vitin shkollor 2019/2020 me tekste të reja. Shumica e këtyre teksteve do të përgatiten nga shtëpitë botuese “Dukagjini”, “Albas” dhe “Pegi”. Për procesin e rishikimit të teksteve shkollore, pati vërejtje nga ish anëtarë të Këshillit të ekspertëve. Por, njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, tha për Radio Kosovën se hartimi i këtyre teksteve nuk ka kaluar në ndonjë proces, i cili dallohet nga herët e kaluara. Megjithatë, ai tha se procesi i vlerësimit ka qenë më i kontrolluar.
Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, tha se presin që të ketë tekste cilësore dhe në përputhje me Kurrikulën. Ai tha se këto tekste do të jenë si pilot për vitin shkollor 2019/2020, për të parë nëse do të ketë vërejtje nga mësimdhënësit, nxënësit dhe akterët e tjerë.
“Ku do që do të vërejmë dobësi që nuk janë tekstet ashtu siç janë reflektuar, ne do t’i tërheqim tekstet. Normalisht në një proces kaq të madh duke përfshirë një numër të madh të profesionistëve, mund të ketë edhe probleme gjatë rrugës. Ka pasur momente kur janë paraqitur interesat e ngushta të personave të caktuar, që për ne nuk ka çuar peshë për arsye të një procesi të madh.
Lidhur me pilotimin e teksteve shkollore, Dukagjin Pupovci tha se pilotimi do të duhej të bëhej në një numër më të vogël të shkollave dhe jo në të gjitha shkollat e vendit.
E sa i përket ankesave të shtëpive botuese të cilat nuk kanë fituar, Ministria e Arsimit ka deklaruar se do të formohet komisioni i ankesave, që do t’i shqyrtojë ato. Megjithatë, ende nuk janë publikuar të gjitha rezultatet. I gjithë procesi i vlerësimit të teksteve shkollore ka kushtuar rreth 76 mijë euro.