Fjalë Kyçe

Isufi thotë se derisa nuk ka garanci për njohje nga Serbia, taksa nuk do të hiqet

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se vizitat e përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë mund të merren si interesim i shtuar i ndërkombëtarëve për zhvillimet në Kosovë.

“I shohim si interesim të shtuar për çështjen e Kosovës, dialogun dhe për zhvillimet e përgjithshme politike dhe janë normale, sepse pritet që dialogu të vazhdojë dhe të ketë një epilog, ashtu siç edhe është deklaruar edhe bashkësia ndërkombëtare, që duhet të ndodhë njohja e Kosovës nga Serbia”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Ndërkohë, pavarësisht se ndërkombëtarët po vazhdojnë ta kërkojnë pezullimin e taksës Isufi ka thënë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë derisa të mos ketë një garanci për njohje të Kosovës nga Serbia.

“Jo, sepse dialogu s’ka të bëjë me taksën, por ka të bëjë me politikën agresive të Serbisë ndaj Kosovës dhe normalisht që taksa nuk hiqet derisa Serbia nuk e ndal angazhimin e vet ndaj Kosovës”, ka potencuar deputeti i AAK-së.