Fjalë Kyçe

Thaçi: Si shtet i ri duhet të jemi të pakompromis në luftimin e korrupsionit

Thaçi: Si shtet i ri duhet të jemi të pakompromis në luftimin e korrupsionit

Presidenti i vendit Hashim Thaçi u ka bërë thirrje të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve të vendit që të punojnë me përkushtim dhe profesionalizëm në luftën kundër korrupsioni.

Ai ka thënë se lufta kundër kësaj dukurie të jetë prioritet mbi prioritetet, shkruan Gazeta Alo.

“Përkundër rezultateve ne duhet të vazhdojmë luftën e pakompromis kundër korrupsionit. Sot gjyqtarët dhe prokurorët kanë kushte dhe të ardhura të mira dhe ju mbetet të punojnë me përkushtim dhe profesionalizëm. Ju bëjë thirrje të gjyqtarëve dhe prokurorëve që lufta mbi korrupsionin të jetë prioritet mbi prioritetet”, ka thënë presidenti Thaçi.

Sipas tij, korrupsioni është kërcënim serioz jo vetëm për Kosovën por për të gjitha vendet e botës.

“Fenomeni i korrupsionit është sfidë globale. Dukuria e korrupsionit shkakton pasoja në rrafshin e sigurisë, si shtet i ri duhet të jemi të pakompromis në luftimin e kësaj dukurie”, ka deklaruar Thaçi.

Ai ka përmendur edhe ligjet që janë nxjerrë, dhe hapat që janë ndërmarr në fushën e legjislacionit.

“Jam i lumtur të konstatoj se gjatë 2018 dhe në fillim të 2019 Kosova ka marr hapa të mëdhenj në konsolidimin e legjislacionit që ndërlidhen me fushën kundër korrupsionit që janë nxjerr ligje të reja apo janë ndryshuar strukturat aktuale. Ndër to janë: Kodi Penal i Kosovës që pritet të hyjë në fuqi në prill të këtij viti, ligji për kompetenca të zgjeruara për konfiskimin e pasurisë, ligji për përgjegjësi disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ligji për gjykatat, ligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, ligji për Këshillin Prokurorial, ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve, ligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, ligji për kontroll të brendshëm për financa publike etj. Ky legjislacion mundëson që në mënyrë sa më efikase të parandalohen veprat penale. Po ashtu ky legjislacion ofron mbrojtje për të gjithë ata që lajmërojnë apo raportojnë shkelje në sektorin publik dhe privat”, ka shtuar ai.

Këto komente presidenti i bëri në konferencën me temë “Korrupsioni i nivelit të lartë”, të organizuar nga misioni i OSBE-së./Gazeta Alo/