Fjalë Kyçe

900 mijë euro i morën pa shkuar në punë, kush janë personat që i gjeti auditori?

900 mijë euro i morën pa shkuar në punë, kush janë personat që i gjeti auditori?

Zëvendësauditori i përgjithshëm, Bezat Halilaj, ka folur për 199 punonjësit që janë paguar 900 mijë euro pa shkuar as edhe një ditë të vetme në punë.

Halilja tha se ata janë nga ministritë që kanë të bëjnë me zyrtarët e mbrojtjes civile.

“Kjo është një prej gjetjeve që kanë të bëjnë me menaxhimin e burimeve njerëzore. Për vitin 2021, kjo është si rezultat I marrëveshjes së Brukselit në mes të Kosovës dhe Serbisë, që ka të bëjë me zyrtarë të mbrojtjes civile, janë gjithsej 199 zyrtarë, që në fakt janë paguar por nuk kanë vijuar punën, kjo është konstatuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit, në bazë të dëshmive dhe testimeve që i ka bërë”, ka thënë Halilaj në Edicionin Special.

Sipas tij, përgjegjësit e kësaj çështjeje nuk kanë dhënë ndonjë arsye të veçantë se pse ka ndodhur një gjë e tillë.

“Përgjigja e tyre ka qenë ajo që e kanë konfirmuar edhe auditorët, që nuk kanë ndonjë arsye të veçantë dhe nuk kanë shpjegim”, ka shtuar ai.

Halilaj tha se të gjeturat kryesore të auditorit shtrihen në disa fusha, por më kryesoret kanë të bëjnë me procesin e prokurorimit publik, me menaxhimin e shpenzimeve, me të hyrat, me menaxhimin e burimeve njerëzore e të tjera.

“Nëse flasim për të gjeturat që kanë të bëjnë me prokurimin, disa prej tyre, më kryesoret, që janë gjetur në shumë institucione, mund të jetë mospërzgjedhja e duhur e operatorëve ekonomikë, mandej menaxhimi jo i mirë i kontratave dhe përzgjedhja e operatoreve ekonomikë pa kritere”.

Ndërkaq te menaxhimi i burimeve njerëzore, ai theksoi mospërdorimin e procedurave të prokurimit që janë përdorur për angazhim të njerëzve.