Fjalë Kyçe

98 pacientë me COVID-19 po trajtohen me oksigjenoterapi

98 pacientë me COVID-19 po trajtohen me oksigjenoterapi

Më shumë se gjysma e pacientëve që po trajtohen për COVID-19 në spitalet dhe klinikat e Kosovës, po trajtohen me oksigjenoterapi, ka njoftuar Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës në raportin e së enjtes.

Prej 181 pacientëve që po trajtohen në SHSKUK, 144 prej tyre janë të konfirmuar me COVID-19 dhe 37 të tjerë post-COVID-19. 98 pacientë po trajtohen me oksigjenoterapi.

Në Mjekimin Intensiv të Klinikës Infektive janë tre pacientë.

Në Infektive po trajtohen 67 pacientë, në Pulmologji 34 post-COVID, në Pediatri nëntë pacientë dhe në Gjinekologji dhjetë.

Spitali i Gjakovës ka 16 pacientë, si spitali rajonal me më së shumti pacientë. Në atë të Mitrovicës po trajtohen 12 pacientë, ndërsa në të Gjilanit 11. Në Spitalin e Pejës po trajtohen nëntë pacientë, ndërsa në të Prizrenit 6 e atë të Ferizajt 4.

Shtimi i rasteve me COVID-19 ka çuar në ngritje të atyre që po kërkojnë trajtim në spitale dhe klinika. Një ditë më herët, në SHSKUK po trajtoheshin 167 pacientë.

E mërkura ishte dita më e rëndë sa i përket rasteve ditore. U regjistruan 4397 raste të reja nga testimi i 16 mijë e 307 mostrave.