Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e ka quajtur subjektin që ai e udhëheq të pakorruptuar dhe ka shprehur guxim për ta luftuar korrupsionin dhe për ta çkapur shtetin nga “grupet parashtetërore kriminale”.
Këtë deklaratë, Mustafa e kishte dhënë më 23 dhjetor teksa po kremtonin 29 vjetorin e themelimit të LDK-së.
“Jemi të vendosur të luftojmë kundër të gjithë atyre që e keqpërdorin pasurinë e Kosovës dhe vlerat demokratike të këtij vendi. Kemi dije për të ofruar zhvillim ekonomik që i nevojitet vendit. Kemi guxim për ta luftuar korrupsionin sepse jemi të pakorruptuar dhe për ta shkapur shtetin nga grupet parashtetërore kriminale”, u shpreh Mustafa.
Por, kjo deklaratë e Mustafës është parë si deklaratë joserioze nga ana e Arton Demhasaj, nga Çohu.
Demhasaj, ka thënë për KALLXO.com se nuk kanë kaluar as një vit e gjysmë që ka qeverisur Isa Mustafa dhe se nuk kanë parë asgjë konkrete për ta luftuar korrupsionin.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, ka qenë në qeverinë e kaluar dhe nuk ka tregu fare as një veprim konkret me të cilin tregojnë se janë të gatshëm për ta luftuar korrupsionin. Aq më pak kur Isa Mustafa në qeverisjen e kaluar ka thënë që korrupsioni nuk është realitet por thjeshtë korrupsioni është percepsion”, tha Demhasaj.
Demhasaj ka përmendur se një numër i madh i zyrtareve të LDK-së janë të akuzuar për korrupsion. Gjithashtu ka përmendur edhe lëndët kur Mustafa ka udhëhequr qeverisjen lokale në Prishtinë.
“Deri sa kemi një numër të madh të zyrtarëve të kësaj partie që janë të akuzuar për korrupsion madje në nivele shumë të larta dhe kur e dimë që vetë zoti Mustafa ka qenë pjesë e udhëheqjes së komunës dhe e dimë sa lëndë janë pikërisht për qeverisjen e tij të Prishtinës që kanë të bëjnë kryesisht me korrupsion. Dhe kjo tregon se sa serioz janë LDK kur janë në qeverisje për me luftu korrupsionin”, tha ai
Demhasaj shtoi se deklarata e Mustafës për ta luftuar korrupsionin dhe se LDK është e pa korruptuar është deklaratë jo serioze.
“Kur po vijnë në pushtet po e harrojnë luftën kundër korrupsionit madje edhe po bëhen edhe vetë pjesë korruptive”, shtoi Demhasaj.
Gjatë kohës sa Isa Mustafa udhëhiqte Qeverinë e Kosovës, Zyra e Kryeministrit kishte aplikuar procedurë të mbyllur tenderuese për të kontraktuar një kompani për servisim të automjeteve. Nëpërmjet kësaj procedure kishte shpallur fituese kompaninë Makcar që është në pronësi të djemve të kryeministrit Isa Mustafa, Besnikut e Arbenit.
Zyrtarët e LDK-së me aktakuza
Një numër i madh i zyrtarëve të LDK-së, janë me aktakuzuar. Kallxo.com, ka shkruar vazhdimisht për rastet e zyrtarëve të akuzuar.
Naser Osmani, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, është i akuzuar në lidhje me privatizimin e fabrikës “FAN” në Podujevë.