Zyra e Rregullatorit për Energji ka konstatuar se KEDS-i po aplikon reduktime të energjisë elektrike në kundërshtim me ligjin. Të paktën kështu thuhet në një letër të cilën ZRrE ia ka dërguar KESCO/KEDS-it, e të cilën e ka siguruar AktivPress.
“Gjatë procesit të monitorimit të cilin ZRRE po vazhdon ta aplikojë për furnizim me energji elektrike, është vërejtur se KESCO dhe KEDS ende po aplikojnë reduktime të furnizimit me energji elektrike në disa pjesë të vendit. ZRRE ju rikujton edhe njëherë se veprimet e tilla janë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, si dhe në kundërshtim me vendimin e Bordit të ZRRE-së të datës 30 tetor 2018”, thuhet në letrën dërguar KEDS-it.
ZRrE e kishte paralajmëruar KEDS-in me 23 nëntor të këtij viti që t’i ndërpriste menjëherë reduktimet, por bazuar në shkresën e fundit të rregullatorit të energjisë, vërehet se KEDS e ka shpërfillur këtë urdhër.
Megjithatë, ZRrE edhe njëherë ka kërkuar nga KEDS-i që gjatë sezonit të dimrit, e veçmas gjatë festave, “në asnjë mënyrë të mos aplikohen ndërprerje të planifikuara të energjisë elektrike në emër të mirëmbajtjeve, me përjashtim të riparimeve të domosdoshme pa të cilat mund të rrezikohet sistemi apo siguria e furnizimit me energji elektrike”.
Në të kundërtën, siç thuhet në letër, ZRrE do të aplikoj masa ndëshkuese në pajtim me ligjin nëse vëren ndonjë shkelje apo neglizhencë gjatë aktiviteteve të KEDS-it.
Por, sa herë është ndëshkuar KEDS për shkelje të kontratës kur kihet parasysh se reduktimet e rrymës kanë qenë të vazhdueshme.
ZRrE thotë se e ka dënuar të paktën një herë.
“Në vitin 2016, ZRRE gjatë një monitorimi të veçantë të realizuar me qëllim të vërtetimit të arsyeve të ndërprerjeve të energjisë, ka gjetur shkelje në procedurat e aplikimit të ndërprerjeve. Me këtë rast pas raportimeve të stafit monitorues, Bordi i ZRRE ka marrë vendim që të gjobisë KEDS-in”, ka shpjeguar ZRrE ditë më parë për AktivPress. Bëhet fjalë për një dënim në vlerë prej 45 mijë eurosh.
Shefi i Qeverisë, Ramush Haradinaj ditë më parë i ka mbledhur të gjithë akterët që janë përgjegjës për sektorin energjetik në vend, dhe ka kërkuar që secili të jap përgjegjësi për atë që i takon ta bëj. Haradinaj ka thënë se ka pasur takime edhe me investitorët që kanë ardhur nga Turqia për të biseduar enkas për gjendjen e krijuar. Ndërkohë, ai e ka lënë të hapur mundësin që ngjashëm siç e ka vizituar KEK-un, një ditë ta vizitojë edhe KEDS-in. Por, kjo vizitë ende nuk ka ndodhur.