Fjalë Kyçe

Denver nuk ndalet në Perëndim, fitojnë edhe Warriors, Spurs e Houston

Denver nuk ndalet në Perëndim, fitojnë edhe Warriors, Spurs e Houston

Kampionët e Golden State triumfuan 115-105 ndaj Portland në ndeshjen e luajtur sot në NBA, sukses që ngjit skuadrën e Warriors në vendin e dytë të renditjes në Konferencën e Perëndimit.

Një ndeshje e dominuar nga miqtë, që u shkëputën në periodën e dytë dhe e ruajtën avantazhin deri në fund. Trioja e përbërë nga Thompson-Durant-Curry bëri diferencën në fushë, duke realizuar së bashku 82 pikë, ndërsa për Portland u dallua Lillard me 40 pikë, por që mbetën për statistikë. Fiton edhe Houston, që falë 41 pikëve të Harden, mundi 108-104 New Orleans jashtë fushe.

Skuadra e San Antonio fitoi 122-111 ndaj Clippers, një përballje mes dy ekipesh që synojnë titullin në Perëndim. Fitorja e ekipit mik u vendos në pjesën e dytë, me Aldridge që realizoi 38 pikë, mbështetur edhe nga DeRozan, me 25 pikë e 13 rebound, të papërmbajtshëm në parket. Jashtë fushe triumfon edhe skuadra e Boston Celtics, që mundi 112-103 Memphis, ndeshje ku vendasit u shkëputën deri në 20 pikë (Conley 26 pikë). Por në minutat e fundit Boston përmbysi shifrat me Irving (26 pikë) e Morris (22), transmeton telesporti.

Vijon të mbyllë renditjen në Konferencën e Lindjes skuadra e Cleveland, që u mund 111-108 nga Atlanta, ndeshje me emocione në minutat e fundit. Carter e Young realizuan nga 21 pikë për Atlantën në këtë sfidë. Në krye të renditjes në Perëndim vazhdon të jetë skuadra e Denver, që mposhti 122-118 Phoenix, sfidë e dominuar nga vendasit, që u shkëputën deri në 30 pikë, por në fund rrezikuan ta humbisnin atë (Murray 46 pikë). Fiton edhe Milwaukee, që mundi 129-115 Brooklun (Antetokounmpo 31 pikë, 10 rebound e 10 asist).

NBA/Rezultatet:

New Orleans – Houston, 104-108

Washington – Charlotte, 130-126

Atlanta – Cleveland, 111-108

Memphis – Boston, 103-112

Utah Jazz – New York, 129-97

Phoenix – Denver, 118-122

Portland – Golden State, 105-115

Clippers – San Antonio, 111-122