Në ditët që po shënojnë fundin e vitit 2018, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimet e saj lidhur me nivelin e dobët të dialogut institucional dhe formal ndërmjet sektorit publik dhe privat, ndërlidhjen e politikës me raportet ekonomike dhe tregtare, si dhe ndërhyrjen e shpeshtë të institucioneve dhe zyrtarëve qeveritarë në sektorin privat.
Oda Amerikane beson se tregtia e lirë është një faktor i rëndësishëm në të mundësuarit e rritjes ekonomike përmes efikasitetit dhe inovacionit të shtuar, mundësive të eksportit si dhe cilësisë më të lartë dhe mallrave me çmime më të ulëta për konsumatorët, prandaj çfarëdo vendimi për vendosjen e barrierave jotarifore dhe tarifore jashtë frymës dhe zotimeve në kontekst të marrëveshjeve për tregti të lirë, si dhe zotimeve që vendi ka ndërmarrë për avancimin e rrugës së integrimit evropian, pavarësisht argumenteve që arsyetojnë veprimet e tilla.
Siç thuhet në njoftim, Oda Ekonomike Amerikane është e vetëdijshme për vështirësitë në lëvizjen e mallrave për kompanitë e Kosovës përmes barrierave jotarifore që shtetet anëtare të CEFTA-së i vendosin, megjithatë, Oda Amerikane beson se Marrëveshja përmban dispozita për zgjidhjen e kontesteve që mund të vihen në përdorim për një tregti të papenguar ndërmjet shteteve.
Oda Amerikane beson se çfarëdo vendimi për barriera tarifore dhe jotarifore do të gjenerojë efekte negative për ekonominë e Kosovës në periudhë afatgjatë meqë do të ndikojë në ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe do të pengojë prospektet për krijimin e vendeve të punës, duke lënë në hije efektet pozitive shkurtpamëse që vendimi mund të ketë.
Sa i përket sulmeve të kohëpaskohshme ndaj kompanive dhe sektorëve të caktuar nga ana e zyrtarëve të lartë qeveritarë, Oda Amerikane i konsideron ato si ndërhyrje direkte në operacionet e sektorit privat, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e tjera përkatëse të shtetit, të cilat garantojnë një ekonomi të lirë të tregut. Oda Amerikane beson se shteti ka mekanizma të mjaftueshëm ligjor dhe institucional që trajtojnë çështjet e konkurrencës, tregut dhe mbrojtjes së konsumatorëve, roli kyç i të cilave është mbrojtja e interesit publik dhe të siguruarit që asnjë kompani, vendore apo e huaj, nuk abuzon me pozitën dominuese.
Argumentet e sipërcekura si dhe dialogu i ulët ndërmjet sektorit privat dhe publik mund dhe do të ketë ndikim në investimet e huaja direkte, në një kohë kur shteti ka nevojë për përmirësimin e perceptimin të tij para investitorëve amerikanë dhe të tjerë. Normat e investimeve të huaja direkte në 2018, si dhe përkeqësimi i rangimit të Kosovës në raportin e Bankës Botërore që mat lehtësinë e të bërit biznes janë reflektimi më i mirë i devijimit të vendit nga shtegu i tij i reformave.
Në fund, Oda Ekonomike Amerikane u bënë thirrje Kuvendit, Qeverisë si dhe agjencive të pavarura të përmbahen nga deklaratat e pabazuara dhe veprimet që mund të cenojnë integrimin evropian të Kosovës, si dhe të ndjekin reformat në mjedisin afarist, që do të çonin në investimeve më të mëdha të huaja dhe rritje më të shpejtë, duke pasur parasysh që Kosova ka të gjitha burimet e nevojshme për t’u shndërruar në një akter të rëndësishëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor.