Ish-Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa ka bërë thirrje për reflektim sidomos për sjelljen e të gjithëve pas luftës.
Këtë thirrje Mustafa e ka bërë në ditën e Veteranit. Aty nuk ka sqaruar se për cilat sjellje të pasluftës duhet reflektuar.
“Jemi në prag të festës së Vitit të Ri 2019, dua të ju kujtoj që ashtu siç e kuptuam domosdoshmërinë e luftës kur ishim në robëri, ashtu edhe në vitin që po hyjmë, të reflektojë mbi rrugën e kaluar së bashku e sidomos të reflektojë mbi sjelljen e gjithsecilit veç e veç pas përfundimit të luftës!|, ka shkruar Remi, në një postim në FB.
Rrustem Mustafa-Remi,është i thirruri i parë i Gjykatës Speciale si i dyshuar për krime lufte. Pas tij janë ftuar edhe Sylejman Selimi, Sami Lushtaku etj.
Ish-udhëheqësi i UÇK’së e FSK’së ka thënë se të gjithë duhet të punojnë për vendosjen e Kosovës krah kombeve të qytetëruara europiane.
“Kjo rrugë duhet të jetë në funksion të vendosjes së rendit dhe shtetit ligjor si parakusht për normalizimin e jetesës dhe të institucioneve tona”, ka shtuar ai.
Rrustem Mustafa, ishte Komandat i Zonës së Pestë Operative të Llapit. Kishte udhëhequr UÇK’në në atë zonë bashkë edhe me grupet tjera politike. Pasluftës është bërë deputet i Parlamentit të Kosovës me PDK’në. Është ballafaquar edhe me drejtësinë nën dyshimet për krime lufte.
Mustafa është i vetmi udhëheqës i UÇK’së, që gjatë gjykimit, nuk i ka ikur asnjëherë përgjegjësisë. Madje, ka thënë gjatë proceseve gjyqësore se nëse një luftëtar gjatë luftës ka bërë gabime, e merr edhe ai përgjegjësinë.
Serbia gjatë luftës ka kryer gjenocid duke vrarë më shumë se 20 mijë persona dhe dëbuar afër 1 milion shqiptarë të Kosovës për në Shqipëri, Maqedoni e Mali të Zi.