Serbët duken të vendosur që ta mbajnë nën presion Presidentin Aleksandar Vuçiç. Me mijëra vetë dolën sërish në rrugët e Beogradit për të protestuar kundër kreut të shtetit dhe partisë së tij progresive.
Në duar mbanin pankarta ku shkruhej “Nuk do të mbyll gojën” dhe “Pse po luftojmë me të gjitha shtetet fqinje”, tubuesit kërkuan lirinë e medias dhe fundin e sulmeve ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të opozitës.
Aktori Branislav Trifunoviç tha: “I dashur Presidenti ynë Aleksandar Vuçiç, ta dish se zemërimi po na shtohet dita-ditës. Dhe ja ku po jua them se do të ketë gjithmonë e më shumë prej nesh nëpër rrugë. Boll gënjyet, boll vodhët, tani dëgjoni çfarë po ju thotë populli”.
Ndërsa gazetari Milan Jovanoviç u shpreh: “Njerëzit kanë heshtur për shkak të frikës, për shkak se fjala e nxjerrë nga goja sot është bërë rrezik dhe mund të humbasësh kokën, siç isha duke e humbur unë për pak. Por, Serbia është zgjuar nga gjumi dimëror dhe ka vendosur të mos heshtë më”.
Shtëpia e Jovanoviçit në Beograd u dogj në fillim të muajit prej një kokteji Molotov. Sulmi, sipas avokatit të tij, lidhej me punën e gazetarit që heton korrupsionin.
Protestat nisën muajin e kaluar pasi një grup personash rrahën liderin opozitar Borko Stefanoviç. Vuçiç është shprehur i gatshëm për zgjedhje të reja, por ato do të mbaheshin në kushte të cilat zor se mund të quhen demokratike./Top Channel/