Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të kryeparlamentarit Kadri Veseli.
Në komunikatën që ata dërguan për media thanë Veseli nuk kupton nga ekonomia përgjithësi, e aq më pak nga ekonomia e tregut të lirë në veçanti.
“Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli paska thënë se LDK bën pjesë në partitë e majta, vetëm e quan veten të djathtë. Vetëm pas pak minutash z. Veseli tenton edhe të përvetësojë reformat ekonomike, të bazuara në parimet e ekonomisë së tregut të lirë, të implementuara gjatë Qeverisë Mustafa në periudhën 2014-2017”, shkruhet në komunikatën e dërguasr nga LDK.
Ndër tjerash thonë se gjatë periudhës kur ishte Isa Mustafa kryeministër, përmes Ministrisë së Financave të udhëhequr nga z. Avdullah Hoti, u implementuan një sërë reformash fiskale.
“Këto reforma fiskale u quajtën “Pako Fiskale 1.0” dhe “Pako Fiskale 2.0”, duke filluar nga 1 shtatori i vitit 2015, që përshkallëzuan Tatimin mbi Vlerën e Shtuar duke përgjysmuar TVSh-në për produktet dhe shërbimet esenciale, heqjen e tërësishme të TVSH-së në import të të gjitha makinerive prodhuese, lëndëve të para që përdoren në prodhim dhe për teknologjinë informative, krijimin e hapësirës ligjore për pushimet tatimore për investimet e reja, etj”, shkruhet më tej në kumtesë.
“Në po të njëjtën kohë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, nën udhëheqjen e znj. Hykmete Bajrami, në bashkëpunim me Bankën Botërore patën filluar reformimin e mbi 30 trupave inspektuese në Kosovë, që u kushtojnë kompanive kosovare mbi 140 milion euro kosto të paarsyeshme në vit. Njëkohësisht, MTI në bashkëpunim me USAID, KfË dhe SIDA pati themeluar Fondin Kosovar për Garanci Kreditore për të garantuar 50% të kredive të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme. Poashtu, gjatë Qeverisë Mustafa për herë të parë janë hartuar dhe implementuar Agjenda për Reforma Evropiane (ERA) dhe Programi për Reforma Ekonomike (ERP), përmes së cilave Qeveria e Kosovës është zotuar karshi Bashkimit Evropian dhe ka implementuar, atëbotë, një sërë reformash ekonomike, legjislative dhe administrative me qëllim zhbllokimin e potencialit të zhvillimit ekonomik, mbi të gjitha të sektorit privat, duke larguar sa më shumë barriera tatimore e administrative që rëndonin mbi kompanitë kosovare, veçanërisht atyre prodhuese”, deklaron më tej LDK-ja.
Gjithashtu ata shprehen se dëshirojnë t’i rikujtojnë Veselit se LDK është anëtare e Partive Popullore Evropiane (EPP), familjes së partive evropiane të qendrës së djathtë.
Më tej shtuan se Veseli është mirë të punojë për zhvillimin ekonomik të vendit’ sipas tyre e jo të tentojë të përvetësojë reformat ekonomike në dobi të kompanive kosovare që ka udhëhequr dhe implementuar Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Si parti zemërgjerë që jemi, shprehim gatishmërinë të furnizojmë z. Veseli me libra mbi bazat e ekonomisë në mënyrë që, të paktën, mos të i ngatërrojë konceptet e djathta ekonomike, të mishëruara në programin e LDK-së, nga konceptet e majta ekonomike, të mishëruara nga partnerët qeverisës të partisë së z. Veseli”,deklaron më tej LDK.