Fjalë Kyçe

Drejtori i Trepçës flet për grevën e minatorëve

Drejtori i Trepçës flet për grevën e minatorëve

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Minierës së “Trepçës”, Xhevdet Tahiri  është deklaruar në lidhje me grevën e minatorëve të “Trepçës”.

Ai tha se është i informuar për kërkesat e minatorëve por theksoi faktin se, punëtorët të cilët punojnë në Trepçë nuk i kanë punët keq me paga.

“Për paga nuk qëndrojmë keq. Mund të ketë probleme me buxhet të përgjithshëm, por nuk është se jemi keq me paga”, tha Tahiri.

Ai shtoi se gjatë ditës së sotme Bordi Mbikëqyrës i Trepçës ka mbajtur një takim urgjent.

“Sot kemi pasur një takim urgjent me bordin mbikeqyrës. Kemi diskutuar shumë gjëra dhe kemi pasur disa pika kyçe. Gjatë takimit pati mos të them tejkalim të kontrollit por, nuk ishte e qetë gjendja”, tha Tahiri për kallxo.com.

Ai shtoi se sipas informacioneve që ka, disa punëtorë nuk dëshirojnë të humbasin punën, por nga një grup tjetër individësh ata po cilësohen si ‘tradhëtarë’.

“Po kam qenë dhe kemi biseduar. Kam shumë respekt për minatorët, por me të vërtetë u kam treguar në mënyrë trasnparente se nuk kemi mundësi buxhetore. Por aty janë një grup i individëve që po i manipulon të gjithë. Ne jemi të thirrur për me punu dhe duhet të punojmë”, thotë Tahiri.

Ai tha se çdo ditë e humbur, mund të shkaktoj dëme të mëdha në funksionimin e ndërmarrjes.

“Çdo ditë e humbur mund të shkaktoj dëme të mëdha. E kam parasysh kërkesën për rritje të pagave por edhe në mbledhje u diskutuan shumë gjëra dhe me këqyr, të themi të drejtën ne kemi pagat më të mirat në rajon”, tha Tahiri.

Ai kërkoi që Qeveria e Kosovës të punojë në këtë drejtim, ndërsa pati një apel për punëtorët e minierës së “Trepçës”.

“U kisha bërë thirrje dhe apel minatorëve që t`i kthehen punës, pasi që do të kemi humbje, nuk do të kemi dobi asgjë me greva. Minierën e kemi amanet nga ata që kanë punuar e para 100 viteve”, tha Tahiri.

Kryetari i Sindikatës së Minatorëve të “Trepçës”, tha se një kërkesë tjetër e tyre është që të mos punësohen punëtor pa konkurs pasi që sipas tij, menaxhmenti i “Trepçës”, po punëson familjarë.

Punësimin e familjarëve e ka mohuar, U. D.Drejtori i “Trepçës”, Xhevdet Tahiri.

“Nuk ka të vërteta. Çdo gjë është e rregulluar me ligj, asnjë njeri nuk është pranuar pa konkurs . Të gjitha janë shpifje. Asgjë jashtë ligjit nuk punojmë. Lus të gjithë punëtorët që t`i kthehen punës, pa punë nuk mund të arrijmë askund. Unë po kërkoj që të jemi shembull për të tjerët”, tha Tahiri.

Minatorët e “Trepçës” që nga dita e djeshme janë në grevë. Kjo për shkak të mosplotësimit të kërkesave të tyre drejtuar disa muaj më parë Qeverisë së Kosovës.

Rritja e rrogës për 20%, mos punësimi i punëtorëve pa konkurs, raportimi i bordit ndaj minatorëve e shumë kërkesa të tjera po kërkohen të plotësohen nga minatorët e “Trepçës”.