Drejtori Rajonal i Policisë në Gjakovë, koloneli Ahmet Hasi, tha se pelegrinët serb nuk na kanë paralajmëruar që sot do të vijnë në Gjakovë.
Mirëpo sipas tij ata as nuk kanë lajmëruar që s`do të vijnë.
“Pelegrinët serb nuk na kanë paralajmëruar që sot do të vijnë, mirëpo as nuk kanë lajmëruar që s`do të vijnë. Ne gjithsesi kemi ndërmarr masat gjatë protestës”, ka thënë Hasi për KALLXO.com.
Ndërkohë qytetarë të shumtë të Gjakovës janë duke protestuar sot në qytetin e tyre, siç kanë thënë ata “kundër ardhjes kriminelëve, të cilët nën petkun e pelegrinëve sot vijnë në Gjakovë”.
Protestuesit kanë vendosur mbishkrime në dyert e objektit të kishës
Protestuesi Kasim Qerkezi tha se ka humbur 5 familjarë, e ndër ta edhe djalin e tij 18 vjeç.
“Nuk jemi kundër festës, çdo vit do të protestojmë për familjarët tanë ende të pagjetur”.
Ai tha se 4 prej familjareve që i janë vrarë ende nuk janë gjetur.
Sebahate Doli, tha se do protestojnë “sepse na kanë bërë shkrumb e hi”.
Qytetarët e Gjakovës të cilët ende po i kërkojnë familjarët e tyre të pagjetur, janë duke protestuar sot, në kohën kur pritet që qytetarë serbë të kryejnë pelegrinazh në këtë qytet.
Ata kanë paralajmëruar se thirrja e tyre për protestë nuk ka të bëj me besimin e tyre, porse në mesin e pelegrinëve serbë ka persona që ua njohin të bëmat gjatë luftës.
THIRRJE PËR PROTESTË
Sërish erdh janari, sërish presim të vjen një grup serbësh në qytetin e Gjakovës me datën 6. Ne, qytetarët e Gjakovës, nuk kemi problem me besimin e tyre e as me të drejtën e tyre për të bërë pelegrinazh, siç interpretohet nga ta. Problemin që kemi ne është se në mesin e tyre ka persona të cilëve ne ua njohim të bëmat gjatë luftës. Ata kanë emër e mbiemër. Por, jemi dëshmitarë se të njëjtit nuk janë hetuar, gjykuar, e dënuar, për këto të bëma. Në këto rrethana kur heshtja institucionale ka shtuar krip në plagët tona, vizita e tyre në qytetin që e lanë me gjak dhe e bënë shkrumb e hi është provokim. Nuk mbetet rrugë tjetër përpos protestës qytetare. Prandaj, ne, qytetarët e Gjakovës, u bëjmë thirrje të gjithë bashkëqytetarëve të na bashkohen ditën e diel, me datën 6 janar, tek rruga “Mbretëresha Teutë,” nga ora 8:00 në mëngjes. Edhe këtë vit do të protestojmë paqësisht. Dalja jonë dëshmon se Gjakova nuk ka harruar. Dalja jonë dëshmon se Gjakova kërkon drejtësi për të gjitha krimet e kryera nga regjimi serbë kudo në Kosovë.
Gjakova NUK harron! Gjakova kërkon drejtësi!