Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke folur zhvillimin e dobët ekonomik, ka thënë se shoqëria kosovare në këtë aspekt është përtokë.
Sipas tij vjedhja dhe varfëria janë të ndërlidhura, ku më pas ka kritikuar Prokurorinë e Shtetit për mbyllje sysh.
“Jo rastësisht dy brengat kryesore të qytetarëve të Kosovës sipas çdo ankete janë papunësia e korrupsioni. Vjedhja lart e varfëria poshtë janë të ndërlidhura. Punësimi i paktë: me të njofshëm. Ndërkaq, hajnat e mëdhenj, po ashtu: të njofshëm! E vetmja prokuroria nuk është në ‘dijeni’ e s’i ‘njeh’ ata”, ka shkruar Kurti në Facebook.
“Sipas Raportit të Iniciativës Kosovare për Stabilitet “Fakte 2018”, 73% e të moshuarve varen nga mbështetja familjare për të mbuluar nevojat e tyre elementare, kurse 91% e të moshuarve të anketuar kanë deklaruar se blejnë barna të listës esenciale. Vetëm 12% e grave në Kosovë janë të punësuara, krahasuar me 46,6% të burrave”.
“Pensionin bazë (shtylla e parë) e marrin gati dyfish më shumë gra sesa burra (81 mijë kundrejt 41 mijë), ndërkaq pensionin kontributdhënës (shtylla e dytë) e marrin mbi gjashtë herë më shumë burra sesa gra (sipër 37 mijë kundrejt 6 mijë). Pra, gati trefish më shumë qytetarë e marrin pensionin bazë krahasuar me atë kontributdhënës. Ekonomikisht, shoqëria jonë është përtokë. Gratë edhe nën tokë”.