Fjalë Kyçe

Zaev dhe Sela kanë arritur marrëveshje për “çështjen shqiptare”

Zaev dhe Sela kanë arritur marrëveshje për “çështjen shqiptare”

Kryeministri Zoran Zaev ka arritur marrëveshje me Aleancën për Shqiptarët, gjegjësisht, Ziadin Sela i ka premtuar se nesër do të votojë “për” ndryshimet kushtetuese, njofton Portalb.mk.

“Kemi arritur marrëveshje. Jemi krenar që me kontributin tonë kemi bërë të paktën që fjalia e parë e Kushtetutës, Preambula, të heq padrejtësi për definimin e keq të gjërave. Kemi folur rreth kërkesave që Aleanca për Shqiptarët i ka pasur. Prej sot nuk do të kemi dy kategori të qytetarëve – qytetarë, si dhe qytetarë tjerë…, por do të jetë vetëm populli maqedonas, shqiptarë, turk etj.”, tha Sela.

Edhe kryeministri Zaev shprehu kënaqësi që kanë arritur marrëveshje dhe tha se nga preambula do të fshihen disa fjale me qëllim që të mos ketë ndjenjë se dikush këtu është i përkohshëm.

“Do të hiqet pjesa “të cilët jetojnë në kufijtë”, që të mos lihet përshtypje se shqiptarët, turqit dhe të tjerët janë vetëm përkohësisht këtu, tha Zaev.

Gjithashtu edhe për çështjen e diasporës kanë arritur marrëveshje, gjegjësisht që të mos thuhet se shteti kujdeset vetëm për diasporën maqedonase, por për të gjitha etnitetet që jetojnë në të.

Në lidhje me çështjen e riemërimit të gjuhës shqipe nga “gjuha që e flasin 20% e popullatës” në gjuhën shqipe, Sela tha se këtë do ta shqyrtojnë në të ardhmen.

Për të njëjtën gjë, Zaev deklaroi se nuk ka mundësi formale që tani të realizohet, por se edhe ai nuk dëshiron që ndonjë gjuhë të thirret me përqindje.

Takimi ka filluar në orë 15:00, ndërkaq nuk dihet se sa do të zgjatë.

Ndryshe, pparaprakisht Sela në një konferencë për shtyp ka deklaruar se do të bëjnë negociata me kryeministrin në lidhje me kërkesat e tyre.

“Ne jemi fokusuar në negociatat që duhet të bëhen këto ditë dhe gjatë seancës për ndryshimet kushtetuese pasi që Rregullorja lejon që edhe gjatë seancës të bëhen negociata. Kam pasur kërkesë për tu takuar, dhe kam vlerësuar se takimin do ta bëjmë kur të vendosim ne. Do të ketë takim, do të informoheni. Qëndrimet tona janë shprehur me amendamente, dhe vlerësojmë se kërkesat tona janë të drejta”, tha Sela pas takimit me përfaqësuesin e NATO-s, Zoran Jankoviq.

Ngjashëm si deputeti i Besës, Fadil Zendeli, edhe Ziadin Sela në pyetjen: “Se a do t’i përkrahni ndryshimet kushtetuese nëse nuk pranohen kërkesat e juaja”, u përgjigj: “Kemi edhe disa ditë që ju ta merrni përgjigjen për qëndrimin për votimin për ndryshimet kushtetuese”.

Në lidhje me deklaratën e zëvendëskryeministrit Bujar Osmani, i cili qëndrimin e Lëvizjes BESA dhe Aleancës për Shqiptarët e sheh si rezultat të “dorës së fshehur”, lideri Sela të njëjtin e cilësoi me fenomenin “bishti i kapur”.

“Kam dëgjuar zotëri Osmanin se e përsërit si refren, këtë punën e duarve të zgjatura, por mendoj se më tepër bëhet fjalë për fenomenin e bishtit të kapur”, tha Sela.

Sa ti takon takimit me përfaqësuesin e NATO-s, Zoran Jankoviq, lideri i ASH-së, Ziadin Sela tha se në takim është vlerësuar se krahas anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, i rëndësishëm është edhe respektimi i të drejtave të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.

“Diskutuam edhe për çështje të cilat ne menduam se janë me rëndësi, sepse kështu ne e shohim tërë procesin e propozimit të amendamenteve të cilat Aleanca për Shqiptarët i ka bërë në kuadër të ndryshimeve kushtetuese. Vlerësuam se anëtarësimi në NATO është i rëndësishëm, por nga ana tjetër, sytë duhet të hidhen edhe te respektimi i të drejtave i të gjithë qytetarëve në Republikën e Maqedonisë”, tha Sela.