Vetëvendosje e ka përshëndetur vendimin e kryeministrit të Shqipërisë, Ilir Meta, për mos dekretimin e Gent Cakajt për ministër të Punëve të Jashtme.
Përmes një komunikate për media, Vetëvendosje është shprehur se Shqipërisë nuk i duhen sipas tyre minsitra të Baton Haxhiut e Hashim Thaçit, raporton lajmi.net.
VV thotë se Cakaj ishte i angazhuar formalisht në këtë subjekt para vitit 2011.
Kjo është komunikata e plotë e Vetëvendosjes:
Republikës së Shqipërisë nuk i duhen ministra të Baton Haxhiut dhe Hashim Thaçit
Është për t’u mbështetur vendimi i drejtë i marrë sot nga Presidenti Ilir Meta, për refuzimin e dekretimit të z. Gent Cakajt si Ministër për Evropën dhe Punë të Jashtme i Republikës së Shqipërisë.
Dëshirojmë ta sqarojmë opinionin e gjerë publik se Cakaj ka qenë i anëtarësuar formalisht në Lëvizjen VETËVENDOSJE! para vitit 2011. Ne nuk e dimë datën e saktë të largimit të tij nga Lëvizja sepse ai nuk i ka dhënë asnjë shpjegim organizatës.
Në emisionin e datës 3 janar 2018, në Klan Kosova, drejtori Baton Haxhiu tregon se si e ka njohur Gent Cakajn që prej moshës 15 vjeçare, dhe se si e ka ndjekur më tej zhvillimin e tij. Kujtojmë se Haxhiu ka qenë bashkëpunëtor i UDB-së para dhe gjatë lufte, vartës i krerëve të saj, Jovica Stanishiq dhe Zoran Stijoviq, dhe i përfshirë direkt në planin për largimin e disa deputetetëve që u shkëputën nga Lëvizja VETËVENDOSJE! vitin e kaluar, pasi morën padrejtësisht mandatet e fituara në emër të Lëvizjes. Në planet e Baton Haxhiut, duket se Gent Cakaj ka shërbyer si pararojë e të ikurve. Në Prishtinë dihet ajo që thotë Baton Haxhiu se e ka angazhuar për vite të tëra Cakajn me pagë shumë të lartë që të bëjë analizën e sondazheve të cilat i porosit Haxhiu. Prandaj, Baton Haxhiu sot e kërcënoi Presidentin Meta me një reagim, sepse është i shqetësuar për fatin e investimit të tij shumëvjeçar.
Në të njëjtin emision televiziv, Gent Cakaj shfaq mbështetjen e tij për humbjen e 8.200 hektarëve që i ka ndodhur Kosovës përmes Marrëveshjes së padrejtë për “Demarkacionin” me Malin e Zi. Ai godet Komisionin e ri dhe profesional që u themelua pas kritikave të forta që mori marrëveshja. Cakaj deklaron: “Personalisht, nuk kam qenë askpak i bindur me punën e komisionit të ri, por unë nuk du tash të dal në rol të gjeografit brenda natës dhe të konstatoj ku është kufiri. Me aq sa kam kuptu logjikën e komisionit paraprak, gjithçka ka qenë konsistente me formulën dhe obligimet ndërkombetare.” Ai nuk del në rolin e gjeografit, por del në rolin e përmbaruesit që nuk merr parasysh asnjë prej argumenteve ligjore, diplomatike, shkencore, historike dhe aktuale që paraqiti Komisioni i ri, pas shkarkimit të Komisionit të z. Murat Mehës.
Më tej Cakaj deklaron: “Çeshtja është që normalizimi duhet të zgjidh dy çështje – rregullimin praktik të raporteve Kosovë-Serbi. Edhe nëse nuk presupozohet njohja, mosnjohja e Serbisë mos të manifestohet drejtperdrejt në terren”. Me këtë pozicionim, Cakaj del kundër qëndrimit zyrtar të Republikës së Shqipërisë edhe të Republikës së Kosovës, të cilat kërkojnë një marrëveshje që përfundon me njohje reciproke. Cakaj ka mbajtur një linjë në dëm të interesave kombëtare, dhe nuk nguron në intervistë as të shtyjë për idenë e zbatimit të një forme të “Zajednicës” në Kosovë.
Në datën 11 janar 2018, në intervistën e dytë të Cakajt në Klan Kosova me Baton Haxhiun, sqarohen disa qëndrime edhe më të rrezikshme. Aty ai mbron me të gjitha kapacitetet që ka idenë e Thaçit për copëtimin e Kosovës. Ai shkon aq larg sa merret edhe me ndarjen e aseteve të Trepçës, por përdor edhe shprehje si “Veriu i Mitrovicës, nëse mbet në Kosovë …”. Ai lë të nënkuptohet se nuk është kundër copëtimit të veriut dhe instalimit të një forme të “Zajednicës” në pjesët e tjerat të vendit.
Ne i vlerësojmë disa ide dhe politika progresive të Qeverisë Rama, si kalimi nga taksa e sheshtë te ajo progresive, vendosjen e shpërblimit për fëmijët e sapolindur, etj. Gjithashtu, e vlerësojmë edhe deklaratën e tij për pavarësinë e Kosovës në takimin e parë në Beograd me Vuçiqin në datën 10 nëntor 2014, por emërimi i Gent Cakajt ka qenë krejt i pavend.