Kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se ky vit do të jetë vit i ekonomisë.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, një herësh kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur optimist se viti 2019 do të jetë vit i ekonomisë, shkruan lajmi.net.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme ka takuar dhjetëra të rinj të profileve të ndryshme të cilët ia janë bashkuar partisë që ai e udhëheq.
Para tyre Haradinaj ka thënë se, viti 2018 u finalizua me sukses me përmbylljen e arkitekturës së sigurisë së Kosovës, që sipas tij, paraqet kulmin e shtëpisë sonë të përbashkët.
Tutje kreu i Qeverisë ka thënë se fokusi i qeverisjes së tij për vitin 2019 është ekonomia.
“Në qeverisje, kemi vendosur fokusin në një dinamikë të re zhvillimore dhe 2019-ta do të jetë vit i ekonomisë”, ka shkruar ndër të tjera Haradinaj.
Postimi i plotë i Haradinajt pa ndërhyrje:
Krah për krah me dhjetëra të rinj të profileve të ndryshme profesionale, që sot iu bashkuan familjes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Në thelb të vizionit të Aleancës çdoherë ka qenë rinia, si partner dhe resurs kryesor në zhvillimin e vendit dhe garant i të ardhmes sonë.
Besimi në AAK po rritet përditë dhe ky është tregues i qartë se jemi në rrugën e duhur për ta bërë diferencën në vend.
Po sot, para Këshillit Drejtues dhe Kryesisë së AAK-së, shpalosa bilancin qeverisës për këta 15 muaj, si dhe prioritetet për periudhën e ardhshme.
Viti 2018 u finalizua me sukses me përmbylljen e arkitekturës së sigurisë së Kosovës, që paraqet kulmin e shtëpisë sonë të përbashkët.
Në qeverisje, kemi vendosur fokusin në një dinamikë të re zhvillimore dhe 2019-ta do të jetë vit i ekonomisë.