Reshjet e vazhdueshme të borës kanë bërë që shumë pjesë të vendit të mbesin të bllokuara, dhe me vështirësi qarkullimi.
Banorët e zonës malore së Gollakut po ankohen se Komuna e Prishtinës nuk ka ndërmarrë asgjë në pastrimin e borës në këtë anë të kryeqytetit.
Selim Demolli, banor i rrugës “Viktor Hygo” në këtë anë, tha për KALLXO.com se asnjë operator ekonomik i kontraktuar për pastrim nuk ka ardhur deri më tani.
“Që tridhjetë vjet që jam une qaty kurrë kurrkush nuk u ardh as sot as dje as sahere ka ra borë nuk u kanë kurrë”, tha Demolli.
Ai u shpreh që si pasojë e rrugëve të bllokuara është detyruar që të qarkullojë pa veturë.
“Sot autobusi nuk ka mujtë më dal, qe me këmbë ja kemi msy, rrugët në përgjithësi ka ana e Gollakut këndej, hiç s’janë dal, rrugët janë të mshelta, thojnë që ka kompani, per mu nuk ka, kto kompanitë private veç thonë kesh edhe nuk po dalin hiç”, shtoi qytetari për KALLXO.com
Një qytetar tjetër para kamerës së KALLXO.com thotë se mos pastrimi i borës në trotuare po rrezikon jetën e këmbësoreve.
“Po e shihni edhe ju qysh është gjendja, kerret fluturojnë herë anej herë knëj e nuk i pastrojnë. Isha pak me herët ne qytet, nuk mundeshim me vozit prej njerëzve se trotuaret të bllokume prej bore”, tha ai.
Sipas tij, deri tani nuk ka ardhur asnjë kompani qe të bëjë pastrimin e borës.
“Une nuk kom pa, skom vërejt deri tash, kështu që gjendja e rrugëve katastrof”, shtoi Zhugolli
Banori i kësaj ane, Islam Llapatica u shpreh se po rrugët përveç që janë në gjendje të veshtirë, atyre po u paraqet rrezik bora neper trotuare.
“Rrugët janë të vështira po mundohemi me i qel sa po mujmë, por, nuk po mujmë më arritë”, tha ai.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti përmes një postimi në “Facebook” ka bërë apel qytetareve që të kufizojnë qarkullimin.