Komuna e Junikut ka reaguar pasi nuk u rendit në mesin e Komunave të para për fushatën “Ta pastrojmë Kosovën”
Përmes një reagim, Komuna e Junikut ka treguar se Komisioni i Task Forcës “Ta pastrojmë Kosovën” nuk ka shpërblyer punën, angazhimin, rezultatet dhe standardin në shërbim, duke respektuar rregullat ligjore e profesionale.
“Përkundër pjesëmarrjes masive të qytetarëve, bizneseve, OJQ-ve, nxënësve, personelit shëndetësor, policisë, institucioneve publike, në aksionin “Ta Pastrojmë Kosovën”, Komuna e Junikut nuk u rendit në mesin e Komunave të para”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Sipas tyre Komisioni i Task Forcës, “Ta Pastrojmë Kosovën” ka shkelur të gjitha standardet ligjore, profesionale e qytetare, duke u treguar tejet i njëanshëm e subjektiv, aspak serioz e i përgjegjshëm, pasi sipas tyre Komisionit përzgjodhi të parat ato Komuna me të cilat kishin miqësi e afërsi personale, lidhje klanore e rajonale.
“Komuna e Junikut gjatë kësaj periudhe është treguar tejet aktive dhe efikase në aksionin “ Ta Pastrojmë Kosovën”, për këtë i kemi raportet e provat të cilat dëshmojnë aktivitetet e pandërprera të Komunës së Junikut për 3 muaj rresht. Në këtë aksion kanë marrë pjesë mbi 30% e popullsisë aktive të Komunës së Junikut, kontributi i të cilëve pandershmërisht u mohua dhe nuk u vlerësua drejtë”, njofton Komuna e Junikut.
Organizata “Let’s Do It Kosova” ka organizuar konferencën përmbyllëse të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”.
Ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Fatmir Matoshi në këtë konferencë tha se janë mbi 30 mijë tonë të mbeturinave të larguara, dhe mbi 900 deponi ilegale të larguara.
Në këtë konferencë, disa komunave u janë ndarë donacione për performacën e tyre kuadër të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”.