Liderët institucional të Kosovës kanë përshëndetur ndryshimet kushtetuese të bëra nga Kuvendi i Maqedonisë.
Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës këtë votim e ka quajtur historik për të ardhmen e shtetit fqinj.
“Urimet më të mira për votën historike që kolegët e mi në Shkup sapo kanë dhënë për të ratifikuar marrëveshjen e Prespës. Ky vendim zhbllokon njëherë e mirë rrugën e integrimeve për shtetin mik tonin dhe përshpejton anëtarësimin në NATO dhe BE, jo vetëm të Maqedonisë por të mbarë rajonit tonë. Nëpërmjet kësaj vote konsolidohet paqja dhe stabiliteti në mbarë rajonin dhe dëshmohet edhe njëherë se dialogu e mirëkuptimi është mënyra më e mirë për të zgjidhur problemet e trashëguara nga e kaluara. Edhe njëherë vota e bashkombasve tanë u dëshmua vendimtare për këtë rrugëtim prandaj merita e mirënjohje të veçantë iu takon deputetëve shqiptarë që e shtynë përpara këtë proces”, ka shkruar Veseli në profilin e tij në Facebook .
Votimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë, për ndërrimin e emrit të vendit në Republika e Maqedonisë Veriore e ka përshëndetur edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Përshëndes votimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë, për ndërrimin e emrit të vendit në Republika e Maqedonisë Veriore, si hap madhor në rrugën e integrimeve euro-atlantike të shtetit fqinj. Kjo ngjarje me peshë në historinë e re të Ballkanit Perëndimor është shpresë që rajoni ynë po shkon drejtë paqës së përhershme. Përgëzoj homologun tim Zoran Zaev për vizionin e dëshmuar properëndimor dhe shqiptarët në Maqedoni për rolin kyç në këto ndryshime”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Para një ore Kuvendi i Republikës së Maqedonisë ka votuar ndryshimet kushtetuese. Pro ndryshimeve kanë votuar 81 deputetë, me këtë emri i ri i Maqedonisë, do të jetë Republika e Maqedonisë së Veriut./ Gazeta Alo/