Nga nesër, disa ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të dëshmojnë në Hagë para një Prokurorie Speciale për krime lufte në Kosovë.
Në mesin e të ftuarve janë Rrustem Mustafa, Sami Lushtaku, Sokol Dobruna e Nazif Mehmeti, raporton REL.
Mustafa e Lushtaku do të shkojnë sot për në Hagë, bashkë me avokatin e tyre, Arianit Koci.
Është raportuar se Remzi Shala, i cili po ashtu ka marrë ftesë, nuk do të paraqitet në intervistë, pasi ka thënë se nuk i beson Gjykatës Speciale që do të trajtojë pretendimet për krime lufte në Kosovë.
Ligji për Gjykatën Speciale është miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015.
Gjykata do të veprojë në Hagë, me prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë, por me ligjet e Kosovës.
Krijimi i saj ka pasuar publikimin e një raporti nga Këshilli i Evropës në vitin 2011, në të cilin thuhet se ka prova të mjaftueshme për të hetuar krimet që supozohet se i kanë kryer ish-pjesëtarë të UÇK-së kundër serbëve dhe disa shqiptarëve të dyshuar për bashkëpunim me regjimin e Beogradit, gjatë dhe para luftës.
Hetimet do të përqendrohen në krimet e supozuara nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.