Isa Mustafa, që është kryetar i LDK-së, do t’i vazhdojë takimet me strukturat e partisë. Të premten ai mblodhi të gjithë kryetarët e të gjitha degëve të partisë të cilës i prinë. E nesër do ta takojë Grupin Parlamentar.
Njoftimin e ka bërë me dije vet partia.
“Nesër (e hënë), më datë 14 janar 2019, në orën 12:00, mbahet mbledhje me Grupin Parlamentar të LDK-së. Mbledhjen e kryeson kryetari i LDK-së, akademik Isa Mustafa dhe mbahet në Hotel Sirius”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
Kujtojmë se të premten Mustafa dha sinjale se kjo parti përkrah secilën zgjidhje për Kosovën që përkrahet nga SHBA-ja, qoftë ajo edhe marrëveshje për “korrigjimin e kufijve”.
“S’mund të krekosemi që ne tash i kemi do parime më të mëdha se SHBA-ja sa i përket Kosovës”, ka thënë Isa Mustafa, i cili paraprakisht ka rikujtuar se SHBA-ja e ka bërë shtet Kosovën dhe se pa mbështetjen e saj sot vendi do të kishte më shumë se një milion refugjatë, shkroi Koha Ditore, në numrin e së shtunës. E zyrtarë të lartë amerikanë, prej kohësh, janë deklaruar të përkrahin secilën zgjidhje për të cilën autoritetet e Kosovës dhe ato të Serbisë merren vesh. Ndërkaq janë presidentët e të dyja vendeve që kanë shprehur gatishmërinë ta vënë në tavolinë “korrigjimin e kufijve”, nocion që shihet si eufemizëm për shkëmbim territoresh.
Ndërkohë sot, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka shkruar në profilin e tij në Facebook, prej ku ka pyetur institucionet e vendit se çfarë po ndodh me veriun. Pasi ka numëruar disa veprime që e largojnë veriun nga kontrolli shtetëror i Kosovës, ka thënë se ka frikën se “konservimi i gjendjes në veri jashtë komunikimit me institucione qendrore, është akt i paramenduar për pazare territoriale me Serbinë, për çfarë LDK nuk pajtohet dhe nuk do të pajtohet me asnjë kusht”.
Opinionistët, e ndonjëherë edhe eksponentë të partive në pushtet e kanë akuzuar LDK-në për moskonsistencë në qëndrime, sidomos për tema të mëdha, siç është kjo e dialogut.
LDK-ja nuk jep sqarime të tjera, se për çfarë është thirrur takimi mes kreut të partisë dhe deputetëve të saj në Kuvendin e Kosovës.