Organizata e Veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vazhdimisht ka kundërshtuar krijimin e Gjykatës Speciale, përmes së cilës do të gjykohen luftëtarët e UÇK-së, duke e konsideruar si një gjykatë diskriminuese që gjykon vetëm shqiptarët, por jo edhe kriminelët serbë që kryen krime në Kosovë.
Kështu potencohet në një komunikatë për media nga OVL e UÇK-së.
“OVL UÇK, kundërshton marrjen në biseda informative të luftëtarëve të UÇK-së me status të padefinuar, nga ana e Prokurorisë Speciale, e cila ka për qëllim që nga këto biseda informative, të siguroj prova e që pastaj të akuzoj luftëtarët e UÇK-së”, thuhet në komunikatë.
Sipas kësaj organizate, bisedat informative kanë qenë praktikë e ish sistemit jugosllav, i cili në të kaluarën i ka përdorur ato për të ngritur akuza dhe ka organizuar me qindra gjyqe nga të cilat u dënuan me mijëra intelektual dhe të rinjë e të reja shqiptarë.
“Duke pasur parasysh këtë përvojë të hidhur nga e kaluara, e cila fatkeqësisht po përsëritet edhe tani, Organizata e Veteranëve të UÇK-së ju bën thirrje të gjithë të ftuarve nga Gjykata Speciale, të mos pranojnë që të bashkëpunojnë me Prokurorinë Speciale, pra të mos japin deklarata pranë saj, e cila nuk ka prova, por përmes këtyre bisedave informative informative po synon që t’i nxjerr ato e për të dënuar luftëtarët e UÇK-së”, thekson në thirrjen e saj OVL e UÇK-së.
Theskohet se nëse Prokuroria Speciale ka mbledhë prova të mjaftueshme, ajo le t’i provojë me akuzë gjatë shqyrtimit kryesor në seanca gjyqësore, ‘e jo ne t’i shërbejmë asaj për t’i siguruar prova kundër vetes’.