Legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit, i është njohur statusi i qytetarit me merita të veçanta për kontributin e tij dhënë në promovimin e sportit në arenën ndërkombëtare.
Familjes së Vokrrit, e përfaqësuar nga bashkëshortja Edita dhe djemtë Gramozi e Alberti, ministri i Sportit, Kujtim Gashi, ua dorëzoi vendimin i cili parasheh që familjes së Vokrrit t’i transferohen mjete financiare prej 1000 euro në muaj.
Me këtë rast, ministri tha se përmes këtij vendimi shteti e shpreh mirënjohjen për kontributin dhe angazhimin që ka dhënë legjenda Fadil Vokrri.
“Qeveria ka marrë vendim që të ndjerit Fadil Vokrri t’i njihet statusi qytetar nderi me merita të veçanta për kontributin që ka dhënë në sport e veçanërisht në futboll dhe natyrisht ta ndajë një pagë mujore. Ne ju kemi ftuar që sot të ju japim vendimin e Qeverisë andaj edhe takimi jonë është i veçantë dhe emocional. gjithë ne që e kemi njohur Fadil Vokrrin krenohemi për angazhimin dhe punën e tij. Ne kemi pasur obligim që ta marrim këtë vendim pasi që ai ishte një njeri i cili me veprat e tij të mëdha ka lënë gjurmë në futboll e veçanërisht me kontributin e tij në anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare të sportit”, tha ministri.
Ndërkaq, bashkëshortja e të ndjerit Vokrri, Edita, ndër të tjera falënderoi ministrin Gashi për vendimin e marrë si dhe për nderimin që jep për bashkëshortin.
“Fadili ka punuar jashtëzakonisht shumë dhe ka qenë i përkushtuar maksimalisht për futbollin e veçanërisht për finalizimin e stadiumit. Po ashtu falë punës dhe angazhimit të tij Kosova tashmë është pjesë e shumë organizatave ndërkombëtare sportive andaj ju falënderoj për vendimin e marrë si dhe për nderimin për bashkëshortin tim”, tha ajo.