Deputetja e LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka demaskuar kryeministrin Ramush Haradinaj, që tha se ka kërkuar t’i zbritet paga.
Bajrami, ka thënë se me Draft-Ligjin që deputetët kanë marrë nga Qeveria, nuk i zbritet paga askujt. Ka bashkëngjitur për këtë si dëshmi, edhe Nenin 27 të këtij Draft-Ligji, pjesë e Kapitullit XI.
“Nëse një individ, zyrtar apo funksionar publik, përfitonte pagë të plotë (paga bazë me të gjitha llojet e shtesave të rregullta), që është më e madhe se paga e plotë e parashikuar me këtë ligj, ai do të përfitojë pagën e re sipas dispozitave të këtij ligji dhe një shtesë transitore të posaçme të barabartë me diferencën ndërmjet pagës së vjetër dhe pagës së re”, thuhet në pikën 1 të këtij neni që rregullon “Dispozitën transitore”.
“Individi, zyrtar apo funksionari publik, në pajtim me paragrafin 1 të këtij neni, do të përfitojë pagën e re në: 100 % të shtesës transitore të posaçme, sipas paragrafit 1, gjatë vitit të parë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji”, thuhet në këtë draft-Ligj.
Haradinaj, sot gjatë ditë, pas një takimi që kishte me minatorët në Mitrovicë, të cilët janë në grevë, se ka kërkuar nga ligjvënësit që t’i zvogëlojnë rrogën atij.
Kreu i ekzekutivit ka thënë se më parë, nuk ka pasur ligj për pagat në Kosovë. Ai tha se më në fund po bëhet ligji.
“Kam këkru prej këtyre që e bëjnë ligjin, me e ulë vetëm një pagë, të kryeministrit, vetëm atë kam thënë ule. Mos me prek asnjë pagë që paguhet prej publikut, kryeministrit po, i takon me e ulë. Kam kërku krejt sektorëve me iu rritë, 80 milionë e shtojmë koston e ligjit në vit, qetash. E kam pa që me ligj, me mandat qeverisës, hala pa shku në fund të mandatit pak para zgjedhjeve që jemi kah veprojmë kështu”, tha Haradinaj.
E deputetja Bajrami, ish-ministre e Tregtisë dhe Industrisë, ka bërë thirrje të gjithë grevistëve në Kosovë që të mos dorëzohen.
“Nëse pagat e juaja nuk ngriten atëherë le të zbriten pagat e politikanëve”, ka thënë ajo, përcjell Koha.net. “Grevë në arsim, grevë në shëndetësi, grevë në Trepçë, grevë në administratë. Krejt sektori publik në grevë. – Kush po punon? – Sektori privat. – Kush po e mbushe arkën e shtetit? – Tatimet dhe taksat nga sektori privat (Qeveria ka rrite numrin e inspektorëve). – A ka greve ne sektorin privat? – Jo. Kështu lulëzon ekonomia!!!”, ka qenë komenti i Bajramit.
Duke iu drejtuar grevistëve ajo ka thënë se asnjëherë nuk e ka përkrahur ngritjen e pagave që nuk është bazuar në rritjen ekonomike.
“I takoj partisë e cila këtë çështje e ka rregullu me Ligj, megjithatë këto ditë jam me juve, sepse e di pse keni hy në grevë. Të gjitha këto greva origjinën e kanë te dyfishimi i pagave në Kabinetin Qeveritar dhe draft Ligji për Pagat që i betonon ato tutje”, ka thënë ajo.