Fjalë Kyçe

Edhe një institucion arsimorë kërcënon me protesta

Rektorët e gjashtë universiteteve publike në Kosovë kanë kërkuar nga politika që të shkarkojë anëtarët e Këshillit Shtetëror për Cilësi. Shkas për këtë është bërë pezullimi i 42 programeve studimore në të gjitha universitetet publike.

Rektorët e kanë cilësuar politik bordin e KSHC-së, duke thënë se ai po ndjek politikat e ministrit Shyqiri Bytyqi, për mbylljen e këtyre programeve. E kanë qenë të detyruar që fillimisht letrën me kërkesën për shkakrim ta drejtojnë te i pari i politikës së arsimit në vend, Shyqiri Bytyqi. Letra i është drejtuar edhe kryeministrit të vendit Ramush Haradinajt, si dhe Komisionit për Arsim të Kuvendit të Kosovës.

Ata kanë kërcënuar se do ta ndërpresin çdo komunikim me KSHC-në, e nëse brenda një jave nuk plotësohen këto kërkesa ata do të hyjnë në grevë e do të protestojnë.

Rektorët Fadil Millaku i UHZ-së në Pejë, Marjan Dema i UP-së, Alush Musaj i UMIB-Mitrovicë, Bajram Kosumi i UKZ-Gjilan, Shaban Buza i UGJFA-Gjakovë dhe Agron Bajraktari i USHA-Ferizaj, janë mbledhur sot në Konferencën e Rektorëve, për të shqrtuar njoftimin e KSHC-së rreth vendimeve që kishin dalë nga mbledhja që kjo e dyta kishte mbajtur më 15 e 16 janar, e ku kishte vendosur për tërheqjen e akreditimit dhe refuzimin për 42 programe studimore.

Në një njoftim për media, bëhet me dije se në këtë takim Konferenca e Rektorëve i ka nxjerr tri konstatime. E para se “KSHC-ja ka treguar papërgjegjësi ndaj dispozitave ligjore në fuqi”. Së dyti, sipas rektorëve, KSHC-ja ka treguar papërgjegjësi profesionale me rastin e vlerësimit të fushave të programeve studimore, dhe e treta, se KSHC-ja është i politizuar dhe vendimet e tij janë tendencioze

“Këto vendime ndërlidhen me politikën e Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për mbylljen e universiteteve të reja publike”, thuhet në pikën e tretë.

Kësisoj, Konferenca e Rektorëve, kërkon nga organet kompetente që deri më datë 28 janar, urgjentisht t’i ndërmarrë veprimet si në vijim: “1. Shkarkimi i menjëhershëm i anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, si dhe 2. Shfuqizimin e vendimeve për tërheqje dhe refuzim të akreditimit për të gjitha programet që kanë qenë të akredituara”.

Rektorët kanë thënë se deri në marrjen e këtyre vendimeve, ndërpret gjitha komunikimet me Këshillin Shtetëror të Cilësisë.

“Nëse organet kompetente deri më 28.01.2019 nuk aprovojnë kërkesat e Konferencës së Rektorëve, atëherë nga data 29.01.2019, universitetet publike do të fillojnë grevë të përgjithshme dhe protesta deri në plotësimin e kërkesave si më sipër”, thuhet në letrën e nënshkruar nga gjashtë rektorët.

Portali Koha.net ka provuar të kontaktojë me Gazmend Lubotenin, kryetar i bordit të Këshillit Shtetërorë të Cilësisë, por një gjë të tillë të hënën mbrëma e ka pasur të pamundur.

Kujtojmë se vendimi i parë i Ramush Haradinajt në krye të ekzekutivit kishte qenë ai për shkakrimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Kjo ishte ngjallur reagime të shumta, derisa Kosova ishte përjashtuar nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR). Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) ka hyrë në fazën e rivlerësimit nga këto dy mekanizma.