Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, emri i të cilit është lakuar shpeshherë si kandidat potencial për të parin e LDK-së, për “Zërin” ka thënë se vetëm në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së do ta bëjë të ditur nëse synon ta marrë postin e kreut të partisë.
“Procesi i brendshëm zgjedhor në LDK ka shkuar shumë mirë. Kandidaturat ende nuk janë shpallur, ato do të paraqiten në Kuvend dhe unë ambiciet e mia do t’i shpreh po aty, në Kuvend”, ka thënë Veliu.
Në rast të moskandidimit të tij, Veliu nuk tregoi nëse ka një kandidat të cilin do ta përkrahë për të parin e LDK-së. Ai theksoi se çdo gjë do të bëhet publike më 3 gusht.