Fjalë Kyçe

Çfarë pasoja ka Kosova nëse nuk hiqet taksa?

Çfarë pasoja ka Kosova nëse nuk hiqet taksa?

Janë bërë dy muaj që kur Qeveria e Kosovës ka vendosur taksë 100 për qind për mallrat serbe dhe boshnjake.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës ka ngjallur reagime të dy shteteve ndaj të cilave është vendosur kjo taksë, por edhe reagimin e Bashkimit Europian, shkruan lajmi.net.

BE vazhdimisht ka bërë apel tek autoritetet kosovare për largimin e taksës, gjë që nuk ka ndodhur as deri sot.

Përveç autoriteteve zyrtare të Bashkimit Europian, thirrje për heqjen e taksës kanë bërë edhe shtete të fuqishme e aleate të Kosovës si Gjermania, Italia, Franca e Britania e Madhe, por taksa nuk u largua.

Kjo nuk ndodhi as pas thirrjeve të njëpasnjëshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të pezullohet taksa dhe të vazhdohet dialogu i ndërprerë me hyrjen në fuqi të këtij vendimi.

Së fundmi, SHBA-të, nëpërmjet në letre dërguar Qeverisë së Kosovës, kanë dërguar apelin për pezullimin e taksës me një afat kohor i cili ka përfunduar të hënën, e nga qeveria nuk pati asnjë reflektim mbi këtë.

Për taksën nuk u diskutua as dje në mbledhjen e Qeverisë ani pse krerët e shtetit u takuan me ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Philipp Kosnett i cili kërkoi nga këta përsëri të largohet taksa.

E për ta pyetur në lidhje me taksën dhe efektin që mund të ketë qëndrimi i Kosovës karshi thirrjeve të SHBA-ve, lajmi.net ka kontaktuar filozofin dhe opinionistin Ismail Tasholli.

Tasholli për lajmi.net është shprehur se mos-heqja e taksës edhe pas kërkesës zyrtare të SHBA-ve nuk mund të interpretohet si anti-amerikanizëm, por si racionalizëm.

“Mos heqja e taksës edhe pas kërkesës zyrtare nga SHBA-të, nuk mund të interpretohet si anti-amerikanizëm, por si iracionalizëm”, është shprehur Tasholli.

Ai gjithashtu është shprehur se do të ishte marrëzi nëse do të duhej që SHBA-të të diskutojnë edhe sanksionet si opsion bindës ndaj Kosovës.

“Njëzet vite pas bombardimeve të NATO-s, të iniciuara dhe sponsorizuara nga SHBA-të, të arrish në stadin politik ku e bën këtë shtet, pra Amerikën, të diskutoj edhe sanksionet si opsion “bindës”, është më shumë se marrëzi, është papjekuri totale politike”, ka vazhduar Tasholli për lajmi.net.

Tasholli gjithashtu ka treguar se kjo kokëfortësi e Kosovës ndaj thirrjeve të SHBA-ve mund të ketë pasojat e veta.

“Pasojat që mund të ketë kjo kokëfortësi janë të gjithfarshme, por më e rrezikshmja nga kjo “mosdëgjueshmëri”, janë raportet e ftohta që mund t’i pasojnë marrëdhëniet amerikano-shqiptare”, ka theksuar ai.

Sipas tij, një raport tjetër mosbesues që mund të lind nga e gjithë kjo, do të kishte pasoja katastrofale për Kosovën.

“Një raport tjetër mosbesues që mund të lind nga ky konfrontim diplomatik është më fatali për ne. Paramendoni një raport dyshues në mes Kosovës dhe SHBA-ve? Do të kishte pasoja katastrofale edhe për pozitën tonë si shtet në përpjeje të konsolidimit të vetvetes”, është shprehur krejt në fund Tasholli.