Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka përkujtuar sot nënkryetarin e LDK-së, kryetarin e degës së LDK-së në Istog dhe kryetarin shumë vjeçar të Komunës së Istogut, Fadil Feratin.
Në 9 vjetorin e vdekjes së Fadil Feratit, sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri ka përkujtuar veprat e Fadil Feratit si trashëgimi të veçantë të LDK-së.
“Çdo herë kjo ditë do të jetë ditë dhimbjeje njëkohësisht krenarie për LDK-në dhe familjen. Fadil Ferati mbetet intelektuali i pashoq, kryetari shembullor, shumë i përkushtuar, atdhetar dhe shumë i dashur për qytetarët dhe neve. Ferati ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, prandaj është kënaqësi dhe privilegj për të gjithë ata që punuan me të”, ka thënë Beqiri.
Nënkryetari i LDK-së, njëherësh kryetar i Komunës së Istogut, Haki Rugova bashkë me drejtor komunal dhe bashkëpunëtor kanë përkujtuar Feratin.
“Shprehim mirënjohje për kryetarin e parë dhe shumë vjeçar të Komunës së Istogut, Fadil Feratin, për mikun tim dhe mikun e të gjithë qytetarëve të Istogut, si kryetar të zellshëm dhe të përkushtuar që dha kontribut të veçantë për ndërtimin e Istogut dhe ndërtimin dhe forcimin e institucioneve të Kosovës”, ka thënë Rugova.
Për miqësinë dhe bashkëpunimin me Fadil Feratin ka folur anëtari i kryesisë së LDK-së, Naser Osmani.
Osmani ka thënë që veprat e Fadil Feratit dhe miqësia që kishte me të do të mbesin gjithmonë pjesë e jetës së tij.