Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, sot mori pjesë në dëgjimet publike me qytetarët e Pejës dhe Istogut për autostradën e Dukagjinit.
Duke i inkurajuar qytetarët që të japin komentet dhe sugjerimet e tyre për këtë projekt të rëndësisë së madhe për zhvillimin e Dukagjinit ministri Lekaj tha se ky projekt do të ndikojë dukshëm në lëvizjen e lirë të mallrave e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik të Dukagjinit.
Ai shtoi se Peja dhe Istogu përfitojnë shumë nga qasja në këtë autostradë, e cila i lidhë ato dhe Kosovën me korridoret pan-evropiane.
Qytetarët e të dy komunave, ata të Pejës dhe të Istogut, vlerësuan lartë nismën për një investim kaq të madh e të munguar deri më tani në Dukagjin, kurse me anë të një pjesëmarrjeje aktive dhanë kontributin e tyre të çmuar në këto debate për autostradën e Dukagjinit.