Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ,ka mbajtur sot një takim me rektorët e universiteteve publike të Kosovës, shkruan GazetaAlo.
Ata diskutuan rreth problemeve të fundit që po ndodhin në proceset e mos-akreditimit të programeve akademike në universitetet publike të Kosovës.
“Kuvendi i Kosovës nuk do të lejojë që të cenohet autonomia dhe vazhdimësia e universiteteve publike, as nga ndërhyrjet politike dhe as nga interesat e tjera të ndërlidhura me konkurrencën në arsimin e lartë në Kosovë” , ka shkruar Veseli në Facebook.
“I siguroj studentët e universiteteve publike se të drejtat e tyre do të mbrohen plotësisht! Ata duhet të vazhdojnë të qetë studimet e tyre. Universitetet publike nuk do të mbyllen. Ato vetëm do të zhvillohen edhe më shumë!” ka shtuar Veseli më tutje.
Postimi i tij i plotë:
“Sot pata një takim me rektorët e universiteteve publike të Kosovës. Shqetësimet e tyre rreth zhvillimeve të fundit në procesin e akreditimit të programeve akademike, janë shqetësime reale dhe duhet të adresohen për zgjidhje, pa humbur kohë.
Kuvendi i Kosovës nuk do të lejojë që të cenohet autonomia dhe vazhdimësia e universiteteve publike, as nga ndërhyrjet politike dhe as nga interesat e tjera të ndërlidhura me konkurrencën në arsimin e lartë në Kosovë.
Kriter i vetëm i konkurrencës duhet të jetë gara për cilësi reale dhe profilizim universitar, në përputhje me nevojat e ekonomisë së tregut.
I siguroj studentët e universiteteve publike se të drejtat e tyre do të mbrohen plotësisht! Ata duhet të vazhdojnë të qetë studimet e tyre. Universitetet publike nuk do të mbyllen. Ato vetëm do të zhvillohen edhe më shumë!” /GazetaAlo/