Komisioni për Administratë Publike ka vendosur t’ua ndërrojë statusin zyrtarëve doganorë, përmes Projektligjit për Zyrtarët Publikë dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore.
Nga shërbyes me status të njëjtë me të gjitha institucionet e sigurisë, ata është vendosur të kalojnë në shërbyes civilë, raporton KTV.
Sipas Sindikatës së Punëtorëve të Doganës, ky vendim i komisionit bie në kundërshtim me nenin 73 të Kushtetutës.
Kjo i ka shtyrë doganierët të paralajmërojnë grevë.
Përveç ndryshimit të statusit, me Projektligjin për Pagat, zyrtarëve doganorë pritet t’u ulen edhe pagat.
Këto kanë bërë që ata të mbajnë një takim urgjent gjatë së enjtes me ministrin e Financave, Bedri Hamza, dhe deputetë të Komisionit për Administratë Publike.
Kryesuesja e këshillit grevist ka treguar se u kanë dhënë afat deri të premten në ora 12, për plotësim të kërkesave të tyre.
Burime të KTV-së, të afërta me zhvillimet, kanë treguar se, nëse kërkesat nuk plotësohen deri në afatin e dhënë, doganierët do t’i bllokojnë të gjitha pikat kufitare pa afat kohor.
Me këtë veprim, ata do ta pamundësojnë zhdoganimin e mallit, ndërsa do të lejojnë vetëm qarkullimin e qytetarëve.
Nga taksat e mbledhura nga zhdoganimi, dogana mbetet burimi më i madh i mbushjes së buxhetit të shtetit.