Fjalë Kyçe

Administrata në QKUK paguhet më shumë se kirurgët specialistë

Administrata në QKUK paguhet më shumë se kirurgët specialistë

Janë ashpërsuar marrëdhëniet e kirurgëve të QKUK-së me shefat e tyre.

Dy muaj pasi kirurgët janë futur në grevë, duke anuluar të gjitha operacionet në përjashtim të atyre emergjente, inatin e tyre, kësaj radhe, thonë ta kenë drejtuar kah vetë administrata e cila i ka punësuar.

E, shkak duket të jetë bërë publikimi i listave të pagave për 175 të punësuarit në administratën e QKUK-së, rrogat e të cilëve sillen nga 500 deri në mbi 1,300 euro, raporton KTV.

Ata ua kanë ofruar mediave të gjitha pagesat për të punësuarit e administratës në dhjetorin e 2018.

Në këto lista vërehet diskrepancë e madhe e rrogave të punëtorëve administrativë me ato të kirurgëve, apo të mjekëve të QKUK-së.

Një zyrtar i lartë në këtë institucion, në dhjetor, llogaritet të ketë punuar mbi 16 orë në ditë, pasi paga e tij prej 772 eurosh është dyfishuar dhe me 31 dhjetor, në llogarinë e tij kanë dalë 1,526 euro, apo 775 në emër të kompensimit.

Shefi i Prokurimit në këtë institucion, në muajin dhjetor, ka marrë pagë hiç më pak se 917 euro.

Shefi i Auditimit, po ashtu, në dhjetor ka marrë pagën bruto prej 1,315 eurosh, e ai i Auditimit të Brendshëm 1 mijë e 31 euro.

I çuditshëm është fakti që Prishtina, edhe pse nuk ka spital rajonal, dhjetëra të punësuar duket se po marrin rrogë si të punësuar në një të tillë.

Një drejtor departamenti në këtë “institucion” që nuk ekziston, mori pagën prej 1,189 eurosh, një tjetër me të njëjtën gradë u pagua 956 euro, e një i tretë 1090 euro, 120 për të cilave ishin kompensim për kujdestari.

Dy herë brenda muajit, është kompensuar një shef i departamentit në spitalin regjional, në vlerat 113 dhe 239 euro, paga e të cilit arrin në 1 mijë 262 euro.

 

  1. Z., i punësuar në ekzekutivin e SHSKUK-së, mori pagë bruto 1,647 euro, 988 prej të cilave figurojnë si kompensim.

 

Me gradën “punëtor administrativ”, ka pagesa për kujdestari apo kompensim shtesë në vlera prej 540, 385 euro, 167 apo 127 euro, respektivisht edhe rrogat për ta arrijnë në 965, 950, 860 apo 650 euro.

E, që të gjitha këto janë më të larta sesa ato të kirurgëve.

Ndërkaq, shoferi i Basri Sejdiut, drejtor në SHKSUK, ka pagën prej 555 eurosh.

Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm nuk ka pranuar të flasë para kamerave, por nëpërmjet postës elektronike ka theksuar se pagesat e stafit të punësuar në QKUK dhe SHSKUK, bëhen konform legjislacionit në fuqi.

Ata kanë deklaruar se koeficientet e pagave janë të rregulluar në nivel të Ministrisë së Administratës Publike.

“Sipas legjislacionit në fuqi, secili i punësuar paguhet për orët shtesë, përfshirë mjekë, infermierë dhe staf tjetër mbështetës teknik administrativ. Në rastet kur punëtorët kanë punuar jashtë orarit të punës, me kërkesë të institucionit, atëherë institucioni obligohet të paguajë orët shtesë. Në listat e pagave të muajit dhjetor, disa të punësuar kanë marrë dy paga, nëntor- dhjetor, për shkak se kanë qenë punëtorë të rinj, nuk kanë hyrë në listë pagave dhe nuk kanë marrë pagat e nëntorit edhe pse kanë punuar,’ thuhet në përgjigjen elektronike të QKUK-së.

Edhe Inspektorati i Punës, muaj më parë, kishte kërkuar nivelizimin e pagave brenda QKUK-së, pasi kishte vërejtur se ka disbalanc mes pagesave të stafit të administratës e klinikave të ndryshme, pavarësisht që kryejnë punën e njëjtë.

Kryeinspektori Basri Ibrahimi, i ka thënë KTV-së se SHSKUK-ja ka kërkuar të presin deri në nxjerrjen e të gjitha akteve nënligjore për një nivelizim të tillë.