Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka hedhur akuza ndaj presidenti të vendit Hashim Thaçi duke thënë se ky u fundit është lodhur dhe jo pse ka punuar shumë por pse kupton pak.
Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Kurti ka shkruar se nga lodhja e presidentit flet edhe se si duhet ta heqim qafe problemin me Serbinë, por se sipas Kurtit kjo urgjencë dëshpëruese për rehati e dobëson pozicionin tonë negociator, shkruan Gazeta Alo.
Postimi i tij:
Rehati me mosrehatinë? Po.
Marrëveshje gjithpërfshirëse. Zgjidhje historike. Paqe finale. Dhe, të gjitha variacionet e tjera, të këtyre gjashtë fjalëve, nëpër togfjalësha. Ky do të jetë rezultati i dialogut me Serbinë. Sivjet, sërish, premton presidenti. Ky, i njëjti.
Ka disa situata ku forma s’thotë asgjë. Sepse, procesi është shumëçka drejt substancës që është gjithçka. Si do të arrijmë te marrëveshja dhe cila do të jetë përmbajtja e saj nuk mbulohet dot me shoshën e sinonimeve të presidentit.
Por, kam një hall tjetër. Përtej karakterit, dijes dhe përgatitjeve të presidentit. Madje edhe përtej interesit të tij personal që ta rrezikojë shtetin për ta shpëtuar veten. Është ky apeli për të mbaruar tash dhe përgjithmonë punë me Serbinë.
Presidenti është lodhur. Ai flet se si duhet ta heqim qafe problemin me Serbinë. Sa më parë. Kjo urgjencë dëshpëruese për rehati e dobëson pozicionin tonë negociator. Aq shumë dhe si asgjë tjetër. Me këtë qasje, presidenti nuk do të na e heq qafe Serbinë por do t’ia heq Kosovës veriun.
Presidenti është lodhur. Jo pse ka punuar shumë por pse kupton pak. Ne nuk kemi problem me Serbinë. Serbia është problemi. Kemi për fqi një shtet me dhjetëramijëra vrasës serikë të lirë që vranë e përdhunuan e dogjën joserbët në katër luftëra. Gjermania e ka bërë denazifikimin. Po Serbia? Përkundrazi, gjeneralët serbë kur kthehen nga Haga bëhen profesorë në akademinë ushtarake ndërsa librat e historisë nxënësit serbë i kanë po ato të kohës së Milosheviqit.
E di që ne s’e transformojmë dot Serbinë. Por, duke i bërë koncesione asaj ia vështirësojmë transformimin sepse ia mirëmbajmë apetitet. E, duke u orvatur shpejt e shpejt për rehati, tregojmë dobësi. Nuk do të kemi së shpejti rehati, sepse vetë Serbia nuk e ka ndërmend dhe as s’ka trysni nga jashtë për t’u ballafaquar me të kaluarën e saj.
Pra, duhet të mësohemi me mosrehatinë. Rehatia me mosrehatinë është vetëdije e lartë.
Nuk mund të themi se shqiptarët janë popull vital me ardhmëri të ndritshme nëse lodhen sikur ky presidenti i Kosovës.
Le t’i forcojmë shtetet tona shqiptare me qeveri të dijshme e të ndershme, me zhvillim që sjell punësim, me drejtësi që largon korrupsionin, me arsim që ndërlidhet me ekonominë, me dialog me pakicat, me ushtri që na mbrojnë, për integrim evropian, për bashkim kombëtar.
E, me Serbinë le të kemi dialog parimor, i cili thotë: Ne jemi këtu, gjithnjë dhe përgjithmonë./Gazeta Alo/