Kryesuar nga zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, është mbajtur takimi i parë i Komisionit Ndërministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, pjesë e të cilit janë edhe disa ministra të kabinetit qeveritar, kryetari i Komunës së Skenderajt dhe përfaqësues të Instituteve në Kosovë.
Numri i dytë i Qeverisë tha se themelimi i këtij Komisioni tregon se Qeveria e Kosovës ka vendosur që t’i japë prioritet të veçantë çështjes së Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, pasi gjendja jo e mirë dhe e rrezikshme e gjendjes në Kompleks ka ndihmuar të ngritët vetëdija e të gjitha institucioneve që seriozisht të merren me këtë çështje.
“Ne besojmë se nuk ka gjë më të rëndësishme për ne si trashëgimi e jona historike sesa Kompleksi Memorial në Prekaz. Është shenjë e lirisë sonë, pjesë e pandashme e jetës sonë, krenarisë, dhimbjes, vuajtjes. Prekazi është vetë historia e rrugëtimit të kombit tonë ndër shekuj deri te ardhja e lirisë, andaj duhet t’ia japim përkushtimin që e meriton”, tha zëvendëskryeministri Limaj, duke theksuar se Qeveria është e vendosur që përfundimisht të përfundohet sa më shpejtë edhe konservimi edhe përfundimi i projektit.
Ai shtoi se në përfundim të këtij projekti të gjithë do të ndihen krenarë me punën që do të bëhet.
Me gjithë punën komplekse dhe të madhe që pritet të bëhet, zëvendëskryeministri Limaj tha se janë të vendosur që t’i shkojnë deri në fund këtij projekti, ngase Prekazi si vend i shenjtë jo vetëm i Kosovës, por i gjithë shqiptarëve e meriton një projekt të tillë, njofton Qeveria e Kosovës.
Ndërkaq kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, falënderoi të gjithë anëtarët e Komisionit për punën, duke uruar fillimin e projektit në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.