Dy kryesitë e Sindikatave të Shërbimit Civil të Kosovës, kanë shprehur pakënaqësitë e tyre me koeficientet në Ligjin për Paga.
Përkundër se dy ditë më herët kishin vendosur ta pezullonin grevën, këto dy sindikata tash po paralajmërojnë përshkallëzim të situatës nëse nuk iu plotësohen kërkesat.
Në një komunikatë të përbashkët për media, thuhet se rritja e koeficienteve të mësimdhënësve, rrit edhe më shumë dallimet me shërbyesit civil.
“Me datën 01.02.2019, përmes mjeteve të informimit morëm vesh se për shkak të presionit dhe kalkulimeve politike, ka arritur një marrëveshje e re ku dialoguesi i kësaj marrëveshje është kryetari i Parlamentit, ministri i Financave dhe kryetari i Komisionit Parlamentar së bashku me kryeministrin, duke u pajtuar për një marrëveshje të re që një kategorie buxhetore për shkak të një presioni të jashtëzakonshëm, ti mundësohet edhe një rritje e re prej 0.10 për qind, që në fakt kjo rritje shtesë do ta shtonte edhe më tepër dallimin dhe diskriminimin e Shërbyesve Civili në raport me kategoritë tjera, të cilat edhe më parë kanë qenë të dalluara-favorizuara”, thuhet në komunikatë.
Shërbyesit civilë kanë paralajmëruar rinisjen e grevës, pasi pretendojnë se janë grupi më i nënvlerësuar në Ligjin për Paga.
“Nisur nga fakti se kjo informatë ka shkaktuar një shqetësim të jashtëzakonshëm te anëtarësia jonë, të cilët janë të gatshëm jo vetëm ta riaktivizojnë grevën, por edhe ta bëjnë përshkallëzimin e saj pasi vërtetë janë bindur se shërbyesit civil fatkeqësisht do të jetë kategoria më e anashkaluar dhe më e diskriminuar në raport me kategoritë tjera” njoftojnë Sindikatat e Shërbimit Civil.
Këto dy sindikata kanë kërkuar nga institucionet shtetërore, të reflektojnë dhe të zbatojnë kërkesat e tyre në Ligjin për Paga.
“Bazuar në faktin se nënpunësit e shtetit janë motori i shtetit, kërkojmë nga kryeministri dhe nga kryeparlamentari, shefat e grupeve parlamentare, ministri i Financave, kryetari i komisionit parlamentar për këtë Ligj që të reflektojnë në zbatimin e parimeve të përcaktuara në nenin 3 të projekt Ligjit për Paga dhe kërkojmë nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut që të mos lejojnë diskriminimin e shërbyesve civil në raport me të tjerët, në të kundërtën do të ndodh riaktivizimin i grevës”, përfundon komunikata e Sindikatave të Shërbimit Civil.