Fjalë Kyçe

Ideja e Haradinajt për konferencë ndërkombëtare po kundërshtohet edhe nga Kosnett

Ramush Haradinaj ka mbetur pa mbështetje në kërkesën e tij për organizimin e një konference ndërkombëtare për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë.

Fuqishëm, këtë e ka kundërshtuar edhe ambasadori amerikan, Philip Kosnett.

Ambasadori Kosnett ka thënë se kjo do t’i hapte dyert për t’u diskutuar pavarësia e Kosovës dhe do të mund ta përfshinte edhe Rusinë në këtë proces, raporton KTV.

Askush nga Zyra e Kryeministrit nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje. Ndërkohë, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe partia që udhëheq PDK-ja, e ka quajtur rrezik real të hapjes së statusit të Kosovës, thirrjen e një konference ndërkombëtare.

“Partia Demokratike e Kosovës kërkon që të hiqet dorë nga deklarimet e thirrjes së një konference ndërkombëtare për Kosovën. Kjo ide përmban rrezikun real të rihapjes së statusit final të Kosovës, i zgjidhur përfundimisht me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, si dhe rrezikun e involvimit të Rusisë në proces.”

Por, aspak shqetësuese nuk e sheh thirrjen e një konference ndërkombëtare, Naim Rashiti nga Grupi i Ballkanit për Hulumtim të Politikave.

Ai thotë se nëse ekziston një marrëveshje mbi 95 përqind e gatshme me Serbinë, konferenca e tillë do të ishte akt pozitiv.

Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje, gjithashtu e kanë kundërshtuar idenë e mbajtjes së kësaj konference, pasi, sipas tyre, do të sillte zhbërjen e pavarësisë.