Misioni i OSBE-së në Kosovë ka shfaqur shqetësimin rreth përfshirjes së punonjësve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) në Ligjin për Pagat e Sektorit Publik, të miratuar më 2 shkurt në Kuvendin e Kosovës.
“RTK është një transmetues publik i pavarur, me dispozita kushtetuese dhe ligjore që mbrojnë pavarësinë editoriale dhe financiare. Përfshirja e RTK-së në Ligjin për Pagat e Sektorit Publik minon pavarësinë e RTK-së dhe statusin e transmetuesit publik”, thuhet në reagimin e Misionit të OSBE-së.
Gjithashtu, Misioni bën thirrje për respektimin e standardeve relevante ndërkombëtare për transmetuesit publik, të cilat janë të sanksionuara në Kushtetutën e Kosovës dhe kornizën ligjore.
Prandaj, Misioni i OSBE-së u kërkon ligjvënësve të Kosovës që të marrin në konsideratë ndryshimin e Ligjit për Pagat e Sektorit Publik në përputhje me rrethanat dhe t’i adresojnë çështjet në lidhje me RTK-në përmes ligjit të vet të veçantë, siç ishte rasti deri më tani.