Presionet ndërkombëtare për heqjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina nuk e kanë zmbrapsur Qeverinë e Kosovës për këtë çështje.
Avni Arifi, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk ka asnjë indikacion ose bazë tjetër që tregon se ka ndryshim në Qeveri sa i përket taksës, shkruan “Zëri”.
Deputeti nga radhët e Partisë Socialdemokrate Salih Salihu, duke folur për heqjen e taksës 100% ndaj produkteve serbe, ka vlerësuar se pavarësisht se kryeministri Haradinaj po ballafaqohet me një presion të madh, ai nuk do ta heqë taksën.
“Është një situatë tejet e vështirë, sepse kur është vendosur taksa të gjithë kanë thënë unë e kam vendosur si shenjë krenarie dhe kushtëzimi në raport me Serbinë, por tash pas kërkesës së SHBA-së që të hiqet taksa kryeministri është ai që gjendet në një situatë të vështirë. Mendoj që kryeministri më parë largohet nga pushteti dhe jep dorëheqje sesa që e heq taksën”, ka thënë Salihu.
Më tutje Salihu ka thënë që pret që në 10-ditshin e ardhshëm çështjes së taksës 100% t’i jepet një epilog.
“Kryeministri është në një pozitë të vështirë, sepse as nuk mundet t’i prishë raportet me SHBA-në, por as nuk mundet të mos e dëgjojë atë, sepse kemi nevojë për ndihmën e saj dhe mbështetjen e saj, kështu që nuk e dimë se çka do të ndodhë, por ndoshta do të gjendet një zgjidhje e mesme për të dyja palët, kjo varet në këtë 10-ditshin e ardhshëm, pas votimit të buxhetit”, ka thënë ai.
Ndërsa Ismet Beqiri, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë që LDK-ja asnjëherë nuk ka qenë kundër taksës, por kundër vendimeve për të cilat nuk është marrë pëlqimi i SHBA-së dhe BE-së.
“Ka pasur spekulime sikur ne nuk jemi për ta vendosur taksën ndaj Serbisë, kjo nuk qëndron fare, në çdolloj sanksioni Serbia e meriton për sjelljet që i ka karshi Kosovës dhe nuk është vetëm arsyeja e lobimit të tyre për të mos na pranuar në organizata, sepse ata nuk lobojnë për të na pranuar, ata meritojnë për shumë të këqija që ia kanë bërë këtij vendi, por edhe këtë punë është dashur ta bëjmë në konsultim edhe me miqtë ndërkombëtarë e SHBA-në, mos të rrahin gjoks njëherë që unë e kam vendosur”, ka thënë ai.