Shkarkimi i kryesuesit të Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Jeton Ujkani, që vjen nga AAK-ja, është bërë shkas që kjo parti të shkëpusë koalicionin me AKR-në, në këtë komunë.
Arsye tjetër është edhe iniciativa e kryetarit Agim Bahtiri për bashkimin e komunës me Mitrovicën Veriore.
Nga partia e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili publikisht nuk e ka përkrahur këtë nismë, kanë thënë se zhvillimet e javëve të fundit dhe mosbashkëpunimi, kanë qenë vendimtare në marrjen e këtij vendimi.
Ujkani, i cili është edhe kryetar i degës së AAK-së në Mitrovicë, shkurt ka thënë nëpërmjet telefonit që për prishjen e koalicionit, ka vendosur qendra dhe qëndrimi të merret nga ta.
Donika Kadaj-Bujupi, anëtare e Kryesisë së kësaj partie, emri i së cilës është referuar nga Ujkani, ka thënë se nuk ka asgjë tjetër për të thënë pos asaj çfarë është bërë e ditur në njoftimin zyrtar.
Por, kryetari Bahtiri ka deklaruar për KTV-në se marrëveshje për qeverisje ka bërë me AAK-në në Mitrovicë, e jo në Prishtinë, andaj sipas tij, koalicioni nuk është prishur.
AKR-ja, përveç AAK-së, e cila udhëheq me drejtorinë e Mjedisit, bashkëqeveris edhe me Vetëvendosjen.
Kjo e fundit ka postin e nënkryetarit dhe udhëheq me katër drejtori.
Ndërsa, AKR-ja ka pesë drejtori, atë të Arsimit, Shëndetësisë, Infrastrukturës, Shërbimeve Publike dhe drejtorinë e Kadastrit.