Lëvizja Vetëvendosje parmes një komunikate për media ka njoftuar se çfarë është diskutuar në takimin e djeshëm në mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës.
Në komunikatë thuhet se dy partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! do të angazhohen për shtetin e pavarur të Kosovës, si republikë parlamentare me integritet territorial dhe institucional, me sovranitet shtetëror dhe kufij të pacenueshëm, shkruan Gazeta Alo.
Po ashtu u vlerësua se duhet trajtuar 33 marrëveshjet e arritura deri më tani në mës Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht realizimin, zbatimin dhe ndikimin e tyre.
Komunikata e plotë:
Komunikatë nga takimi i Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Isa Mustafa dhe Kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti
Në harmoni me politikat dhe qëndrimet e tyre, dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! do të angazhohen për shtetin e pavarur të Kosovës, si republikë parlamentare me integritet territorial dhe institucional, me sovranitet shtetëror dhe kufij të pacenueshëm.
Duke pasë parasysh krizën politike për shkak të iniciativave të papërgjegjshme, jolegjitime dhe jotransparente të Presidentit të Kosovës, dy kryetarët e partive opozitare që njëkohësisht janë edhe dy partitë më të mëdha në Republikën e Kosovës, vlerësojnë se:
- Negocimi i çfarëdo marrëveshje finale me Serbinë duhet bërë me një formulë parlamentare që garanton unitet të gjerë politik. Kuvendi i Kosovës është institucioni i vetëm që ushtron autoritetin e përcaktimit të asaj çfarë mund dhe nuk mund të negociohet, përmes një vendimmarrje transparente dhe më së paku një shumice të kualifikuar prej 2/3. Dialogu duhet të zhvillohet nga një qeveri e cila ka legjimitet politik dhe e përfaqëson shumicën parlamentare. Platforma me qëllime dhe parime duhet të jetë legjitime po ashtu përmes një shumice të kualifikuar prej 2/3 e deputetëve të Kuvendit.
U vlerësua se duhet trajtuar 33 marrëveshjet e arritura deri më tani, përkatësisht realizimin, zbatimin dhe ndikimin e tyre.
Presidenti i Republikës duhet të sillet në harmoni me Kushtetutën, ai nuk gëzon asnjë autoritet për të negociuar aspekte ndërshtetërore me Serbinë, për faktin që ato prekin esencën e parimeve të demokracisë kushtetuese në Kosovë.
- Negociimi i çfarëdo çështjeje që është fundament kushtetues dhe element i shtetit të Kosovës, siç janë territori, institucionet kushtetuese, popullsia, resurset natyrore, është i papranueshëm dhe ato nuk mund të bëhen objekt i negocimit me Serbinë. Një përcaktim të tillë Kosova e respekton duke u bazuar në premisën juridike të së drejtës ndërkombëtare mbi të cilën ajo e ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, dhe e cila gjithashtu reflekton qëndrimin e vendeve kryesore që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Çfarëdo ikje nga një themel i tillë është mohim i rrugës për shtetndërtim të Republikës së Kosovës bazuar në intervenimin ndërkombëtar humanitar të NATO-s, rolin e rezistencës paqësore dhe luftën çlirimtare për lirinë e Kosovës, vlerat demokratike që mbron populli i Kosovës, si dhe Opinionin e GjND-së që i njeh legalitetin një rrugëtimi të tillë të përcaktimit liberal të normave të së drejtës ndërkombëtare.
- Një marrëveshje me Serbinë nuk mund të shihet në asnjë prizëm tjetër përpos në atë të njohjes që Kosova gëzon në mënyrë implicite në veton e saj ndaj anëtarësimit të Serbisë në BE, e cila është qartazi e përcaktuar në Kapitullin 35 dhe në Strategjinë për Zgjerim të Komisionit Evropian. Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa e arritur një marrëveshje me Kosovën. Prandaj, kjo është e vetmja gjë që Kosova mund t’i jap Serbisë, në këmbim të njohjes së saj të shtetit të pavarur të Kosovës, pranimit të parimit të mos-intervenimit në punët e brendshme të Kosovës, njohjes së aftësisë juridike të Kosovës për t’u anëtarësuar në OKB, si dhe adresimit të dëmeve e humbjeve të luftës dhe principit të reciprocitetit për marrëdhënie të mira fqinjësore.
- Kosova do të ketë koordinim të plotë dhe mirënjohje për pozicionin e ShBA-ve, Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe Italisë. Kosova do të njeh përjetësisht kontributin e këtyre shteteve dhe përfaqësive e misioneve të tyre në shtetndërtimin në Kosovë, dhe, do të kërkojë ndihmë prej të njëjtëve për ta fuqizuar pavarësinë dhe shtetin e Kosovës në të drejtën ndërkombëtare.
U vlerësua se thirrja e një konference ndërkombëtare do të jetë e panevojshme dhe e papranueshme, meqenëse do të hapte rrugë për ndërhyrje të Rusisë dhe Kinës në një proces të pavarësimit të Kosovës i cili është përmbyllur në vitin 2008 dhe nuk mund të kthehet mbrapa në asnjë nga elementet e shtetësisë së saj.
- Kosova është shtet i pavarur dhe shtetësia e saj nuk mund të rinegociohet në asnjë element përbërës të saj. Kosova do të mbetet shtet i tillë në të drejtën ndërkombëtare me apo pa njohjen e Serbisë. Askush nuk mund ta rivlerësojë atributin e shtetit të Kosovës si produkt i rezistencës dhe luftës së popullit për liri, intervenimit të NATO-s dhe konsensusit të prerë të demokracive perëndimore për një gjë të tillë./Gazeta Alo/