Si pasojë e dhimbjeve të mëdha të barkut, pacientja me inicialet V.Q., shkoi të kërkonte ndihmë mjekësore në Spitalin e Prizrenit. Por, gjatë trajtimit, ajo u ballafaqua me fyerje nga ana e doktorit, Rrahim Ymeri.
Për këtë rast ekziston edhe një incizim. Mjeku është suspenduar nga puna dhe policia i ka nisur hetimet. Kirurgu në fjalë tash po deklaron se këto sjellje i bëri pas kërkesës së prindit të pacientes.
Ka më shumë se 30 vite që punon si mjek në spitalin e Prizrenit. Por, kirurgu, Rrahim Ymeri, të martën mbrëma thotë se u befasua kur e dërgoi veten duke folur me një ton arrogant e fyes ndaj një pacienteje, e cila kishte shkuar për shërim në spitalin e Prizrenit, shkruan Express.
Bëhet fjalë për një vajzë të moshës rreth 20-vjeçare, e cila kishte shkuar në spital me dhembje të ‘Zorrës Qorre’. E në ditën e pestë pas operimit, ndonëse me shëndet të ligë, ajo u ballafaqua edhe me fjalor fyes nga mjeku, Rrahim Ymeri, i cili kishte qenë shef i ekipit që e kishte operuar pacienten gjatë muajit janar. “Punë e madhe që ke dhimbje, mos më shurdho shumë, mos u bë idiote, shuj. Ik aty majmun, se po ta dho një shuplakë. S’të vjen marre, shuj, mbylle gojën, mbylle”, kishin qenë fjalët me të cilat i ishte drejtuar doktori, pacientes V.Q derisa ajo kishte dhembje të mëdha.
Por, mjeku në fjalë sot ka dhënë versionin e tij për këtë ngjarje. Ai thotë se me kërkesën e familjes së pacientes iu drejtua me tonin, i cili dëgjohet në incizimin e publikuar.
“E vërteta qëndron dhe bërtitma qëndron por me insistimin e familjarëve për këtë të jeni të sigurt 100 për qind. Tentimi im ka qenë që pacientja të aktivizohet pasi që ngjarja ka ndodhur në ditën e pestë post operative dhe jo ditën e pranimit në repart”, thotë doktori. Megjithatë, kirurgu Rrahim Ymeri, thotë se veprimet e tija për këtë rast janë të gabuara.
“Realisht një sjellje e tillë nuk do të duhet të ndodhte por ky ka qenë insistimi i prindit dhe jo insistim i imi dhe unë e kom përfill insistimin e prindit. Mendoj që vendimi për suspendim është i drejt por tash i presim organet”.
Tutje mjeku thotë se njihet me familjen e pacientes në fjalë. “Me prindin kemi marrëdhënie te mira dhe unë e njof atë. S’jemi as miq as familjarë por unë e njoft dmth prindin e pacientes. Nuk e di nëse këtë e ka bërë dikush me qëllim por ajo i takon prokurorisë”, thotë kirurgu i spitalit të Prizrenit, Rrahim Ymeri.
Por, prindi i vajzës tregohet i rezervuar në atë kur pyetet për sjelljen e mjekut në fjal karshi vajzës së tij e cila ka qenë paciente. Madje ka fyer ekipin e gazetës kur i ka kërkuar atij një mendim rreth ngjarjes ku implikohet ai dhe vajza e tij.
Por Express, ka siguruar një deklaratë të prindit të vajzës ku ai thotë se vet i ka kërkuar mjekut që ti bërtas asaj.
“Lidhur me rastin e shfaqur ku apostrofohet mjeku i cili e ka operuar vajzën time ju deklaroj se mjeku në fjalë është sjellë korrekt me vajzën time dhe me ne si familjarë dhe se nuk na ka kërkuar para. Dhe për gjuhën e përdorur kinse për vajzën time, unë deklaroj se unë vet si prind i kam dhënë leje mjekut në fjalë që t’i bërtasë pak vajzës sepse unë kisha përshtypjen që kur ti bërtet pak vajzës qetësohet”, thuhet në deklaratën e prindit të pacientes.
E në anën tjetër doktori në fjalë tashmë është suspenduar nga puna nga ana e drejtuesve të Spitalit të Prizrenit deri në momentin kur të sqarohen rrethanat.
Zëdhënësi i këtij spitali, Shefajet Berisha, deklaroi për gazetën se rreth rastit në fjalë, pacientja ka marrë trajtim në spitalit e Prizrenit, nga data 16 janar deri më 23 janar.
“Bëhet fjalë për një paciente e cila në spitalin e Prizrenit, në repartin e Kirurgjisë është trajtuar nga data 16 deri më datën 23 janar të muajit të kaluar dhe kjo pamje e sigurisë është incizuar në atë kohë. Sipas dokumentacionit dhe historisë së sëmundjes, rasti flet për periudhën kur pacientja ka kryer operacionin e suksesshëm”, thotë Berisha.
Ai deklaron se doktori në fjalë është kirurg, i cili ka shumë vite përvojë pune në spitalin e Prizrenit.
“Mjeku në fjalë është kirurg me disa vite të përvojës së punës. Është njëri nga mjekët më me përvojë në spitalin tonë, saktësisht në repartin e kirurgjisë. Ne po punojmë rreth këtij rasti, sigurisht se organet e brendshme të spitalit në detaje do ta analizojnë dhe do të dalin me një vendim tjetër”, sqaron zëdhënësi i spitalit të Prizrenit.
E në anën tjetër, ky veprim i mjekut Rrahim Ymeri, për Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë është i papranueshëm.
“Mbrëmë e kemi parë të gjithë publikimin në media ku shihet një kirurg i spitalit të Prizrenit i cili fatkeqësisht nuk e trajton në mënyrën më të mirë një paciente e cila ka dhembje të mëdha. Kjo natyrisht që është në kundërshtim me të gjitha ligjet e etikës profesionale. Është për keqardhje një etikë e tij. Sjelljet e tilla janë të papranueshme dhe sit ë tilla nuk do të tolerohen epe e fyejnë edhe vet profesionin e mjekut. Mjeku në fjalë është suspenduar përkohësisht nga puna derisa të zhvillohet një hetimi i plotë për rastin që ka ndodhë aty”, ka deklaruar për Express, Albatrit Matoshi, këshilltar për media i Ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili.
Ndërkohë hetime rreth kësaj çështje tashmë ka nisur edhe Prokuroria e Shtetit.
“Në bazë të informacioneve të siguruara nga mediat lidhur me dyshimet për mostrajtimin e duhur të një pacienteje në Spitalin Rajonal të Prizrenit – Reparti i Kirurgjisë, nga ana e mjekut kirurg Rr.Y., Prokuroria Themelore në Prizren, me vetiniciativë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore rreth grumbullimit dhe mbledhjes së informacioneve të nevojshme me qëllim të zbardhjes dhe sqarimit të kësaj çështje”, thonë zyrtarë nga Prokuroria e shtetit. E për rastin në fjalë kanë reaguar zyrtarë të shumtë shëndetësorë, përfshirë edhe Ministrin, Uran Ismaili.