Qendërmbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, beson se gjyqtari i ndeshjes së mbrëmshme, Mateu Lahoz, bëri gabim kur nuk e ndëshkoi kapitenin e Real Madridit me kartonin e dytë të verdhë.
Pique beson se 41-vjeçari nuk ishte i drejtë në vendimmarrjen e tij dhe ai mbeti i pakënaqur me vendimin e Lahozit për të mos e ndëshkuar Ramosi edhe me një karton tjetër të verdhë, afër përfundimit të ndeshjes, transmeton Gazeta Express.
Ndeshja e parë gjysmëfinale mes Barcelonës dhe Real Madridit, e zhvilluar dje në Camp Nou, përfundoi me rezultat 1:1. Lucas Vazquez i kaloi mysafirët në epërsi pas vetëm gjashtë minutave lojë, por Malcomi shënoi në pjesën e dytë të ndeshjes për ta barazuar rezultatin.
Ndeshja mes dy klubeve ishte tejet e barabartë, pasi që të dy skuadrat arritën t’i bëjnë nga 11 gjuajtje drejt portës dhe Barcelona kishte epërsinë në posedimin e topin, me 16 për qind më shumë se madrilenët.
“Ai [Lahoz] kishte kritere të çuditshme, ne u detyruam të luajmë dhe t’i përshtatemi kritereve të tij. Në përgjithësi, ai e pati një ndeshje të mirë. Ramosi duhej të ishte ndëshkuar me edhe një të verdhë, mirëpo nuk kemi çfarë të bëjmë”, ka thënë Pique.
Ekipi që do të kalojë në finale të Kupës së Mbretit do të vendoset në ndeshjen kthyese, e cila do të zhvillohet në Santiago Bernabeu më 27 shkurt. Vetëm katër ditë më vonë, Barcelona do të kthehet në këtë stadium përsëri, këtë herë në kuadër të La Ligës.