Fjalë Kyçe

Deputeti Haxhi Shala punëson mbesën në ministrinë e udhëhequr nga Nisma

Deputeti Haxhi Shala punëson mbesën në ministrinë e udhëhequr nga Nisma

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që udhëhiqet nga Endrit Shala i partisë së Nismës Socialdemokrate po rehaton në këtë institucion familjarë të bashkëpartiakëve.

Donjeta Bytyqi është njëra prej punonjësve më të reja që pritet të nisë punën në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Ajo u zgjodh si më e mira për pozitën “Zyrtar i lartë për ekzaminim” në konkursin që u hapë për këtë pozitë. Lajmi.net ka mësuar se Bytyçi është mbesa e deputetit të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala.

Burimet e lajmi.net kanë treguar se e njëjta nuk i ka plotësuar kriteret që vetë MTI-ja i ka vendosur në konkurs, respektivisht nuk e ka përmbushur kriterin e përvojës së punës që është kërkuar që kandidati të këtë minimum tri vite përvojë pune profesionale. Kjo pasi Bytyqi ka diplomuar në vitin 2017.  Mësohet se Komisioni përzgjedhës, fillimisht e kishte refuzuar kandidaturën e saj, pasi nuk plotësonte kriterin e përvojës së punës, por më pas e kishte futur në listën e ngushtë.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka refuzuar të përgjigjet lidhur me pranimin e Bytyçit në këtë dikaster. Lajmi.net ka kontaktuar edhe deputetin Shala për të marrë një qëndrim të tij. Ai nuk ka dashur të flas rreth asaj nëse ka shfaqur ndikimin e tij në këtë proces. “Janë kriteret ligjore për këto punë”, ka thënë shkurt Shala.

Bytyçi është pranuar në punë me datë 16 janar 2019, por ende nuk ia ka filluar punës, pasi duhet të pritet 30 ditë për afatin e ankesave, ndërsa MTI nuk ka treguar nëse ka pranuar ankesa.

Kualifikimet për këtë vend të punës, sipas kërkesës së konkursit kanë qenë: Diplomë Universitare: Juridik, Ekonomik, Shkenca Teknike, Teknologjike; Minimum 3 vite përvojë pune profesionale; Njohuri të thellë dhe të specializuar në fushën profesionale specifike të fituar përmes arsimimit universitar dhe trajnimeve përkatëse; Njohuri të ligjeve dhe rregulloreve të aplikueshme;  Shkathtësi në komunikim planifikim të punës dhe udhëheqje të ekipit;  Shkathtësi hulumtuese, analitike, vlerësuese dhe formulim të rekomandimeve dhe këshillave profesionale.

Ndërkohë, detyrat dhe përgjegjësitë e zyrtarit të pranuar në këtë pozitë janë: Zhvillon dhe arrin pëlqimin për planet e punës dhe afatet, në koordinim me mbikëqyrësin, për zbatimin e projekteve, shërbimeve dhe produkteve përkatëse në fushën profesionale specifike; Kryen detyra e parapara në planet e punës të miratuara në përputhje me ligjet, rregulloret, politikat dhe procedurat përkatëse, brenda afateve kohore të caktuara; Bën hulumtime, analiza, vlerësim të opsioneve dhe rekomandime për shqyrtim nga nivelet e larta rreth detyrave ose projekteve të specializuara të miratuara; Udhëheq grupet punuese në fushën profesionale specifike kur kërkohet një gjë e tillë, etj .