Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas mbledhjes së kryesisë ku u caktua seanca e jashtëzakonshme për rastin e 16 vjeçares nga Drenasi, ka thënë se do të jenë të pamëshirshëm ndaj çdo veprimi që cenon moralin tonë.
Ai ka thënë se duhet të ruhen institucionet nga njerëzit e krimbur, shkruan Gazeta Alo.
Sipas tij njerëzit e tillë duhet të marrin dënimin e merituar.
“Në republikën tonë nuk është shumë traditë por ka ndodhur një abuzim me një të mitur. Në botën e jashtme kjo quhet pedofili, është po ashtu keqpërdorim i pozitës zyrtare. Këto gjëra nuk do të tolerohen. Sot do të kemi edhe debat për këtë. Ti mbrojmë institucionet për shkak të njerëzve të krimbur, nuk po gjej fjalë për të shprehur, por të ruajmë institucionet, e kam fjalën për Policinë e Kosovës që kryejnë detyrën me përgjegjësi. Të ruajmë mjekët tanë dhe mos t’i dëmtojmë për dikë që e meriton me i shkuar deri në fund edhe drejtësia. Njerëzit e tillë të marrin dënimin e merituar. Do të jemi të pamëshirshëm ndaj çdo veprimi që cenon moralin tonë”, tha ai./Gazeta Alo/