Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë Philip S. Kosnett dhe ambasadori i SHBA-së në Beograd Kyle Scott kërkuan që viti 2019 të jetë vit i marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë, mirëpo sipas analistëve kjo gjë është vështirë e arritshme.
Kërkesa e dy ambasadorëve të SHBA-së, ai në Prishtinë Philip S. Kosnett dhe ai në Beograd Kyle Scott, që marrëveshja mes Kosovës e Serbisë të arrihet gjatë vitit 2019 po shihet si vështirë e realizueshme, për shkak të taksës 100% që ka vendosur Kosova ndaj produkteve serbe e boshnjake, si dhe për shkak të lobimit të vazhdueshëm serb kundër shtetësisë së Kosovës.
Ambasadori Kosnett dhe ambasadori Scott duke e përdorur si shembull konfliktin mes Athinës dhe Shkupit kërkuan nga Prishtina e Beogradi që sa më parë të arrijnë një marrëveshje në të mirë të të dyja vendeve. Për të arritur këtë marrëveshje dy ambasadorët i propozuan Kosovës ta heqë taksën ndaj produkteve serbe dhe Serbisë i kërkuan ndaljen e propagandës kundër shtetësisë së Kosovës, shkruan Gazeta “Zëri”.
“Është koha që Kosova ta pezullojë taksën, Serbia të përgjigjet në mënyrë konstruktive që të marrin fund provokimet nga të dyja anët, Beogradi dhe Prishtina t’i kthehen dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe të dyja palët ta përqafojnë paqen guximshëm. Nëse e bëni këtë jemi optimistë se mund të arrini një marrëveshje historike për normalizim më 2019-n”, thuhet në editorialin që dy ambasadorët.